Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë se është rritur deficiti tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë euro për katër vite.
Ky dyfishim sipas kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku e vendosë Kosovën si vendin më të varfër në importe në Evropë.
“Kosova ka ngecur me Kurtin! Kur nuk ke ide se nga shkon, kur nuk ke vizion të qartë mbi rrugën përpara, kur vepron në mjegull ekonomike, secili hap të duket një ecje përpara. Fatkeqësisht, për vendin tonë, hapat ekonomik të katër viteve të fundit janë hapa të mëdhenj prapa! Jemi pak muaj larg para se Kosova, për herë të parë në gjithë historinë e saj, të kaloj deficitin tregtar prej plot 5 miliardë eurove në vit. Kaq është diferenca mes mallrave që i blejmë dhe atyre që i shesim. 5 miliardë euro blejmë më shumë se sa që shesim – në një vit. Rreth 50-60 miliardë euro për 10 vitet e ardhshme me këtë trend. Kosova nuk po prodhon. Kosova nuk po krijon”, ka shkruar Lumir Abdixhiku.
Sipas tij ky është rezultati i ekonomisë së Kurtit.
“Paaftësia kushton. Investime nuk ka. Projekte të mëdha nuk ka. Bizneset janë shtypur e varësia në import po thellohet secilin muaj. Qeveria populliste dhe Kurti nuk e kuptojnë ekonominë. Kaq dijnë, kaq bëjnë. Këta për katër vite kanë rritur deficitin tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë. Ky dyfishim e vendosë Kosovën si vendin më të varur në importe në Evropë. Me kaq hendek, me kaq dallim, do të na duhen vite për të marrë veten. Kosova meriton më mirë. Jemi pak muaj larg ndryshimit të madh. Më 9 shkurt do ta bëjmë këtë ndryshim të madh bashkë”, përfundoi Lumir Abdixhiku.