UBT News

Abdixhiku pas takimit me ambasadorët: LDK e respekton vullnetin qytetar, as nuk dëshiron e as nuk pretendon ta anashkalojë

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar këtë javë me ambasadorët e huaj në Kosovë, pas zhvillimeve të fundit zgjedhore.

Abdixhiku tha se është diskutuar për procesin zgjedhor dhe se partia e tij do të respektojë vullnetin e qytetarëve, duke theksuar se LDK nuk do të anashkalojë dhe do të veprojë sipas këtij vullneti.

“Gjatë kësaj jave, prita në takim ambasadorët e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian, Francës e Italisë. Me të gjithë, diskutuam mbi procesin zgjedhor, rezultatet e deritanishme, e domosdoshmërinë për pritjen e numërimit të secilës votë, përfshirë dhe ato të mërgatës. Siç kam deklaruar në vazhdimësi, LDK e respekton vullnetin qytetar në plotni. As nuk dëshiron e as nuk pretendon ta anashkalojë. LDK do të sillet konform këtij vullneti me plot përgjegjësi; siç dhe do të përfaqësojë denjësisht zërin e votuesit tonë” tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme nga aleatët ndërkombëtarë.

“Falënderime të pafundme për mbështetjen e aleatëve tanë në çdo sfidë të Republikës,” tha Abdixhiku, duke theksuar rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare për zhvillimin e vendit.

Exit mobile version