Lidhja Demokratike e Kosovës do të organizojë konventë programore dyditore me të gjithë anëtarët e partisë. Pas mbledhjes së kryesisë, kryetari Lumir Abdixhiku theksoi se pas organizimit të kësaj konvente, do të kenë përgjigje për çdo proces madhor të Kosovës.
Ai në konferencë për medie, bëri të ditur se sot kanë marrë vendim që me datë 29 dhe 30 të këtij muaji të ftojnë konventën programore “Lidhja për të ardhmen”.
Ai tha se çdo parti duhet ta ketë të domosdoshme që të ketë të shkruar programin dhe idetë e qarta për qytetarët.
“Në këtë konventë programore më të madhen të organizuar nga LDK, do të ftohen të gjithë anëtarët e LDK-së, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, deputetët, kryetarët e komunave nga anët e LDK-së, asamblistët të 209 e pushteteve lokale, kryetarët e degëve të kryesisë, anëtarët e forumeve rinore, forumeve të gruas me gjitha strukturat tona në një punim dyditor ku do të nisim organizimin e programit tonë politik dhe qeverisës për Kosovën. Ne do të kemi panele diskutuese në temat më të rëndësishme për Kosovën në datë 29 prill dhe do të kemi prezencë të anëtarëve të PPS-së, familjes tonë evropiane në ndërtimin e këtij projekti madhor politik”, ka theksuar kreu i LDK-së.
Pas konventës, Abdixhiku bëri të ditur se do të nisin konsultimet me qytetarët në çdo qytet, për të marrë mendimet e tyre për çështje të caktuara.
“LDK do të ketë përgjigje për energjetikë, do të ketë përgjigje për arsim, për shëndetësi, për politikë të jashtme dhe do të ketë përgjigje për proceset madhore të Republikës së Kosovës. Këto çështje do t’i diskutojmë brenda forumeve tona në një konventë madhore dhe do t’i diskutojmë me palët e interesit që janë jashtë partiake dhe që mund të shërbejnë në pasurimin e platformës tonë politike”, ka thënë ai.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku theksoi se kjo konventë programore është pjesë e mobilizimit të gjithmbarshëm.
“Kjo pjesë e angazhimit tonë të datës 29 dhe 30 prill në konventën programore ‘Lidhja për të ardhmen’ është pjesë e mobilizimit të gjithmbarshëm të LDK-së në muajt në vijim. Përcillet edhe me regjistrim të anëtarësisë edhe me aktivizim opozitar gjithandej në Kosovë, në komunikim të drejtpërdrejt me qytetarët tanë. Pres që të kemi komente dhe të shoqërisë civile, të akterëve, profesionistëve, të botës akademike në formim të asaj që do të jetë program i ardhshëm i yni opozitar dhe program i ardhshëm i yni qeverisës”, ka shtuar ai.