Në ditën e dytë prej kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku bashkë me bashkëpunëtorë të tij dhe kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin ka bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Abdixhiku nga aty u shpreh se bëri homazhe për të nderuar themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës dhe për të kujtuar sakrificën e familjes Jashari. Ai tha edhe se si klasë politike do të nderojnë jo vetëm sakrificën e Jasharajve dhe motivin e tyre, por edhe kontributin e dhënë për Kosovën.
“Kemi ardhur për të nderuar themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës, për të kujtuar sakrificën e Jasharajve, ne këtë sakrificë jo vetëm që e nderojmë, por na shërben edhe si inspirim dhe motiv për të punuar drejt për këtë vend. Si klasë politike, si pjesë e jetës parlamentare, si pjesë e aktivitetit tonë politik e partiak, tradicional të së tashmes dhe të ardhmes do të nderojmë jo vetëm sakrificën e Jasharëve, jo vetëm motivin e lënë nga ta, por edhe kontributin që duhet dhënë në këtë vend në gjitha kohërat përfshirë edhe sfidat e tanishme. Unë bashkë me bashkëpunëtorë jemi të interesuar të shërbejmë mbarë dhe drejt si LDK dhe jo vetëm në gjitha rolet që kemi për të kontribuar për shtetin tonë gjithmonë duke nderuar dhe kujtuar të kaluarën tonë të lavdishme që nis në Prekaz”, tha Abdixhiku.
Ndërsa, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari uroi Abdixhikun për postin e kryetarit të LDK-së. Ndërkohë që Jashari shpreson që spektri politik të ketë unifikim që vendi të ecë përpara dhe se në këtë mënyrë edhe çohet në vend amaneti i të rënëve.
“Shfrytëzoj rastin t’i uroj detyrën e re me shumë përgjegjësi dhe sfida që e presin vendin tonë. Uroj që të ketë unifikim të spektrit politik që vendi të ecë përpara, vetëm në këtë formë ne mund ta çojmë vendin aty ku edhe është dëshira dhe amaneti i këtyre që bëmë homazhe”, u shpreh ai.
Ai u pyet edhe për takimet që po mbahen për zgjedhjen e presidentit, për çka tha se takimet gjithnjë sjellin përfundim të mirë, duke shtuar se pret krijimin e sa më të shpejtë të institucioneve.
“Mendoj që takimet janë të mira dhe sjellin një përfundim të mirë me shpresën që vendi ynë të ketë institucionet sa më shpejtë sepse është derdh shumë djersë, mund e shumë gjak që të kemi institucionet tona dhe shtetin tonë, kështu që takimet janë të mirëseardhura dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët”, tha Jashari.
Abdixhiku në ditën e parë të detyrës së tij prej kryetarit të LDK-së ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Abdixhiku dje është zgjedhur kryetar i LDK-së, ndërsa pas marrjes së mandatit ka deklaruar se për shkak të konsolidimit të udhëheqësisë së re të partisë me Lëvizjen Vetëvendosje është i gatshëm të takohet të premten, më 19 mars.