Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe tek varri i atdhetarit e veprimtarit të LDK-së, Xhemajl Mustafa.
Në 21-vjetorin e vdekjes së tij, Abdixhiku ka thënë se Mustafa është një nga figurat kryesore të lëvizjes politike të viteve 90’. Ai ka thënë se Msutafa ka lënë gjurmë të pashlyeshme në rrugën e shtet-ndërtimit të Kosovës. Ai ka thënë se pas 21 vitesh vrasja e tij mbetet e pazbuluar.
“Xhemajl Mustafa është një nga figurat kryesore të lëvizjes politike të viteve 90’, personalitetet i afërt dhe mik i ngushtë me Presidentin Rugova, ai ishte prijatar i shumë proceseve në kohët më të vështira për Kosovën. Opusi i tij jetësor e krijues shtrihet në shumë dimensione. Si shkrimtar, atdhetar e publicist, ai bashkë me intelektualët e kohës themeluan LDK-në, me të vetmin qëllim: lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Xhemajl Mustafa, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në rrugën e shtet-ndërtimit të Kosovës. Ai për asnjë çast nuk e ndaloj aktivitetin e tij për të mirën e përbashkët, idealin dhe sakrificën sublime për vendin. Në kohën kur ideali i lirisë ishte arritur, Xhemajl Mustafës iu ndal rruga në gjysmë – në hyrje të banesës së tij, ai u vra gjakftohtësisht më 23 nëntor të vitit 2000. Vrasja e tij ishte një goditje e madhe jo vetëm për LDK-në por edhe për Kosovën. Sot, edhe pas 21 vitesh, vrasja e tij mbetet e pazbuluar, për familjen, LDK-në dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij, ndaj dhe dhimbja bëhet edhe më e madhe çdoherë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Xhemajl Mustafës!”, ka thënë Abdixhiku, thuhet në njoftimin e LDK-së.