Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi se masakra e Reçakut është pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare.
Pas homazheve në Kompleksin Memorial, ai tha se sot janë në Reçak për të kujtuar se sa e shenjtë është sakrifica e popullit për liri.
“Njëzetegjashtë vite më parë në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit, forcat policore ushtarake militare e paramilitare serbe kryen aktin e tmerrshëm të masakrës së Reçakut, akt i cili më pas do të cilësohej nga ambasadori William walker si krim kundër njerëzimit. Në këtë vend u vranë 45 civilë shqiptarë, burra e gra të moshuar e fëmijë vetëm sepse ishin shqiptarë. Ky akt i rëndë, çnjerëzor, akt kundër njerëzimit ishte po ashtu pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare ndaj pasojave që populli i Kosovës i vuante nga regjimi i Millosheviqit dhe forcave serbe”, tha ai.