Kryetari i sapokonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij është e gatshme të rikthehet menjëherë në negociata me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve.
Procesi i bisedimeve ishte pezulluar për shkak të Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, ku ishte iniciuar shkarkimi i Abdixhikut. Pas votimit, ai arriti të sigurojë mbështetjen e shumicës së delegatëve dhe të vazhdojë udhëheqjen e partisë.
Pas përfundimit të Kuvendit, Abdixhiku tha se pezullimi i negociatave hiqet dhe se LDK-ja është e hapur për diskutime lidhur me krijimin e institucioneve të reja.
Ai bëri të ditur se në takimin e parë me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, është diskutuar edhe për “balancën e pushteteve”, që sipas tij nënkupton se një parti e vetme nuk duhet t’i udhëheqë të gjitha institucionet.
Megjithatë, Abdixhiku mohoi se në atë takim ka pasur marrëveshje apo dakordime të tjera konkrete./A.K/
