UBT News

Abdixhiku-Kurtit: Mos e luaj viktimën, dokumentet rreth dialogut t’i ka dhënë Hoti

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti se i mungon dokumentacioni rreth çështjes së dialogut me Serbinë.

Abdixhiku shkroi në Facebook se Hoti ia ka dhënë dokumentet e dialogut në ditën e pranimit të detyrës, teksa ka kërkuar nga ai të mos e luajë rolin e viktimës.

“Të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme – është dobësi. Dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës. Është ajo dosja e kaltërt që pason me dorështrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim. Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish. Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë. Ke mundur ta bësh secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je Kryeministër. Udhëheq si i tillë”, ka shkruar Abdixhiku mes tjerash në Facebook.

Kryeministër, Të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme – është…

Posted by Lumir Abdixhiku on Friday, April 30, 2021

Sot gjatë ditës, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria paraprake ka qenë plotësisht e përgatitur për procesin e dialogut, dhe se të gjitha dokumentet i janë dorëzuar kryeministrit aktual me rastin e dorëzimit-pranimit të detyrës./UBTNews

Exit mobile version