UBT News

Abdixhiku: Kurti të tërhiqet nga ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje, në të kundërtën e dërgon vendin në zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të heqë dorë nga ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje, në të kundërtën siç u shpreh ai, Kurti e çon vendin në zgjedhje.

“Fillimisht kërkojmë që ky Projektligj të tërhiqet. Nëse ky Ligj nuk tërhiqet, atëherë Kurti e dërgon vendin në zgjedhje”, deklaroi ai në një konferencë për media.

Sipas Abdixhikut, Kurti në seancën e sotme të Kuvendit tentoi ta shantazhonte opozitën me fjalimin e tij, ndonëse Lidhja Demokratike e Kosovës kishte theksuar se do të qëndronte në seancë kur do të votohet presidenti.

Edhe organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar nga Qeveria Kurti që të tërheqë iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës i ka dërguar Kuvendit të Kosovës propozimet sa i përket Ligjit për Zgjedhjet, që t’u mundësohet mërgatës votimi në ambasada dhe në konsullata./UBTNews

Exit mobile version