Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në seancën e jashtëzakonshme e ka cilësuar populliste dhe të paditur Qeverinë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, për menaxhim të krizës me energji elektrike.
Në seancën e jashtëzakonshme ku u shqyrtuan vendimet e Qeverisë së Kosovës për masat emergjente në furnizimin e energjisë, Abdixhiku theksoi se vendet e BE-së dhe rajonit kanë bërë zgjidhje pa u ankuar. Teksa shtoi se Kosova është vonuar gjashtë muaj për të shpallur gjendjen emergjente dhe është bërë lajm ndërkombëtar për krizën energjetike.
Kreu i LDK-së madje pati edhe një kërkesë për kryeministrin Kurti.
“Ne sot jemi në dhjetor, katër ditë para përfunduar viti e gjashtë muaj pasi ka nisur kriza, e tek sot, tre muaj pasi vendet e rajonit janë marrë me këtë krizë, ne kemi nisur të dëgjojmë masat e Qeverisë. Me gjashtë muaj vonesë! Tani kjo s’është parapërgatitje, por është menaxhim krize, e kur menaxhon krizë s’mund të kesh rezultat të mirë, sepse qeveria jonë populliste siç është, verës kur tjerët merreshin me problemet e energjisë, kjo qeveri shpërndante parulla nëpër Evropë se e ka zhvillimin më të madh, aq të lartë sa që po arrin edhe Kroacinë. Kryeministri që i ka krejt, që s’është këtu, na thotë se rryma s’blihet, sepse s’konservohet në frigorifer. Për këtë janë fajtor krejt, secili përveç tij që është në pushtet… Kjo është më shumë se padituri. Është krizë e tij, e qeverisë së tij, sepse jam i bindur se ai duhet ta dijë, e nëse nuk dinë si inxhinier ta kthej diplomën menjëherë në universitet, se rryma, çmimi i rrymës kontraktohet, rezervohet”, theksoi Abdixhiku.