Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për qasjen ndaj krizës energjetike, duke thënë se ndërmori veprime të vonshme dhe zgjidhje skandaloze.
Ai tha se reagimi i vonshëm kushton dhe se për këtë do të paguajnë familjet kosovare, njofton Klan Kosova.
“Në fillim thanë s’kemi krizë. Më pas i dhanë 100 milionë euro për blerje të energjisë. Para të buxhetit të shtetit që mund t’i përdornim shumë më mirë. Tani kemi edhe krizë, edhe 100 milionë më pak, edhe shtrenjtim të energjisë”.
“Papërgjegjësia kushton. Reagimi i vonshëm kushton. Dhe dy javë nga sot, këtë padituri e papërgjegjësi të qeverisë, përtej 100 milionëshit të djegur tashmë, do ta paguajnë më shumë se gjysma e familjeve kosovare në faturat e tyre mujore të energjisë. Për çdo muaj në vijim, një e treta e pagës mesatare në Kosovë do të shkojë për energji. Tani kjo është krizë”.
Abdixhiku tha se ky është shtrenjtimi më i lartë i energjisë elektrike në gjithë historinë e Kosovës dhe përveç se “po paguajmë shtrenjtë, përveç se familjet po diskriminohen pa ndonjë kriter logjik, nuk ka as plan e as ide për një zhvillim strategjik afatgjatë energjetik. Vendime të vonshme dhe zgjidhje skandaloze – ky është epilogu i paaftësisë”.
Abdixhiku ka thënë se është i bindur se “edhe këtë herë” do të gjejnë një fajtor diku në 20 vjet.
“Por s’ka gjë që mund ta mbulojë këtë jokompetencë. S’ka gjë që mbulon barrën financiare që po ua vënë familjeve kosovare. Prandaj, paralajmërimin e sotëm skandaloz të qeverisë, LDK-ja do ta kundërshtojë këtë të enjte në seancë parlamentare. Presim që këtë vendim ta kundërshtojë çdo deputet i përgjegjshëm në Kuvend. Përtej kësaj, një dëm të tillë s’mund ta lejojmë e trajtojmë pa përgjegjësi”.