Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, akuzoi kryeministrin Kurti se po shkon në raundin e ri të bisedimeve i papërgatitur dhe duke shkelur çdo parim e premtim që të kishte dhënë sa ishte në opozitë.
Abdixhiku kritikoi Kurtin, i cili, sipas tij ka ndryshuar aq shumë prej se ka ardhur në pushtet saqë ka harruar faktin se për shumë vite kishte kundërshtuar dialogun pa kushte.
“Ju do të duhej që në këtë kuvend të paraqisni një dokument që së paku i paraqet parimet e kufizimet tuaja në këtë proces të rëndësishëm dhe keni pasur tre muaj ditë kohë. Këtë kohë e keni shfrytëzuar sërish për populizëm duke thënë se dialogu nuk është prioritet, por ja që të martën vizitën e dytë të tuajën jashtë vendit me dy këmbë e duar në tavolinë dialoguese”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se çdo marrëveshje që mund të nënshkruajë qeveria e drejtuar nga Albin Kurti duhet të kalojë nëpër filtrin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Së fundmi ka pasur kërkesa të shumta të deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të dinë më shumë për objektivat e qeverisë nga procesi i dialogut si dhe për faktin se kur parashihet që të ndodhë një marrëveshje finale dhe se çfarë do të përfshijë ajo?
Dialogu pritet të rifillojë të martën.
Ky takim është konfirmuar nga zyrtarët në Prishtinë, Beograd dhe Bashkim Evropian.
Para këtij takimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të marrin pjesë në këtë takim për të cilin Kurti tha se ‘nuk është vazhdim i dialogut’ të kaluar, duke e quajtur ‘dialog i ardhshëm’.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se raundi i ardhshëm i dialogut me Kosovën “nuk do të jetë i lehtë”, porse, sipas tij, është e rëndësishme që të dyja palët të bisedojnë, për të ulur tensionet dhe për të garantuar sigurinë e serbëve në Kosovë.
Procesi i dialogut ngeci vitin e kaluar kur asokohe, pala serbe rihapi çështjen e zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në Kosovë është kundërshtuar vazhdimisht formimi i një asociacioni njëetnik, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Kurti nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit.
Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk u zbatua asnjëherë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.