Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë lidhur me krizën energjetike.
Abdixhiku thotë se kriza energjetike është paralajmëruar tash e pesë muaj e që në kohën kur vendet e rajonit bënin garë për blerën e energjisë elektrike me çmim më të lirë, kryeministri Kurti, siç tha ai, krekosej nëpër qendra rajonale e evropiane me narracione fiktive për zhvillimin e pashembullt ekonomik që Kosova po e përjetonte.
Ai ka thënë se kjo Qeveri është e paaftë, tallëse dhe e vonuar.
Postimi i plotë:
Një krizë e paralajmëruar;
Një Qeveri e paaftë, tallëse dhe e vonuar.
Kriza e sotme energjetike është paralajmëruar tash e pesë muaj. Në mot të ngrohtë, institucionet energjetike, ekspertët e brendshëm e të jashtëm pa dallim, kishin rekomanduar kontraktimin e energjisë elektrike përderisa çmimet ishin të lira; pesëfish më të lira se sa çfarë blejmë si shtet sot. Në atë kohë rekomandoheshin dhe revitalizimet e blloqeve, subvencionimet e operatorëve, organizmi i prodhimit e planet kursyese si parapërgatitje për dimrin e ftohtë.
Këto paralajmërime nuk ishin dëgjuar. Në kohën kur vendet e rajonit bënin garë për blerjen e energjisë elektrike me çmim më të lirë, Kryeministri ynë krekosej nëpër qendra rajonale e evropiane me narracione fiktive për zhvillimin të pashembullt ekonomik që Kosova me të po e përjetonte.
Sot, zhvillimi i pashembullt ekonomik i tij është pa rrymë!
Tani kë do të fajësojnë për këtë krizë? Një Qeveri që i ka krejt; i ka dhe njerëzit e vet të vendosur së fundmi në KEK e në çdo institucion tjetër energjetik, nuk arrinë të sigurojë as një produkt bazik në këtë zhvillim të pashembullt ekonomik.
Për paaftësinë e tyre do të fajësohen qytetarët tanë. Për shpenzimin e energjisë në “joystick”, “larje të dhëmbëve me ujë të ngrohtë”, e për vet çmimin e lirë të energjisë. Tani edhe çmimi i energjisë na u bë i lirë. Kjo parahyrje e tyre është paralajmërim për shtrenjtimin e radhës që do t’i bëjnë. Por as shtrenjtimi i rrymës e as rekomandimet tallëse për kursim nuk do ta kapërcejnë ketë krizë që sapo ka nisë.
Sepse reagimi është i vonshëm. Sepse s’dinë!
Kosova po futet në një dimër të reduktimeve, mungesës së ngrohjes, uljes së prodhimit të bizneseve e pa aftësië qeverisëse për t’i prirë problemeve me kohë; një praktikë tanimë e zakonshme për ta. Sot intervenimet e Qeverisë janë të vonshme; sepse janë të vonshme janë dhe të shtrenjta; e sepse janë të shtrenjta janë dhe pa zgjidhje.
Kjo Qeveri, e aftë për të krijuar konflikte, është e paaftë për të krijuar zgjidhje. Qeverisja para së gjithash është menaxhim dhe përgjegjësi. Gjyetia e fajësimit ndaj të shkuarës as nuk i mbanë dritat e ndezura as shtëpitë familjare të ngrohura..