Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se në takimin me krerët opozitarë, kryeministri Albin Kurti nuk ka thënë më shumë se deklaratat publike.
Ai tha se Qeveria s’duhet t’i sjellë qytetarët që të zgjedhin në mes të ligjshmërisë dhe aleatëve. Abdixhiku shtoi se Kurti e ka mbështetjen e LDK-së për të vendosur ligjshmëri në vend.
“Nuk kuptuam diçka më të re se deklarimet publike që kryeministri i ka pas, e gjithashtu nuk pamë plan konkret për zgjidhjen e situatës së krijuar në veri të vendit. E gjithashtu nuk pamë as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtar. Për LDK-në besojmë që koordinimi i ngushtë me DASh, me institucionet e sigurisë amerikane aleatët në Uashington dhe Bruksel është zgjidhja e vetme adekuate për situatën në të cilën është Kosova. Kosova nuk duhet të bie pre e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd. Është jetike që Kosova të koordinohet me aleatët e vet. Një Qeveri që i kërkon popullit të zgjedh mes aleatëve dhe ligjshmërisë ka bërë gabim. Ne kërkojmë që kjo Qeveri të sigurojë edhe ligjshmërinë edhe aleatët e vet”, deklaroi Abdixhiku.