Dy liderët e partive opozitare, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së i reaguan sot ashpër kryeministrit Albin Kurti, pasi u tha se po flasin si dy aktivistë të dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e quajti hajgarexhi kryeministrin Kurti, derisa tha se është ky i fundit që ka dhënë dorëheqje nga gjitha parimet që i ka mbajtur në Vetëvendosje.
“Unë në Vetëvendosje kurrë s’jam kanë, shyqyr prej Zoti dhe nuk kam pasë qysh me dhënë dorëheqje. Dorëheqje ke dhënë ti prej krejt parimeve çka ke besu. Ti autonomisë mundesh me i thanë vetëmenaxhim por nuk e ndërron substancën. Mundesh me iu thanë edhe qershive dredhëza, ama qershia mbesin ato”, tha ai.
Më kritik ndaj Kurtit u shpreh kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se koha kur Lëvizja Vetëvendosje ka pasur në dorë në LDK ka vdekur.
“Kryeministër nëse mendon që më qet prej takti ose nervozon me ofendime personale, gabohesh shumë. Por, të them kështu, unë kur shikojë veten në pasqyrë nuk e kam barrën që kam vdekur njerëz për kauzën time politike. Nuk e kam barrën që kam djegur një Kosovë të tërë për një kauzë që sot e kam shkelur, kur e shikojë veten në pasqyrë, nuk kam barrën që i kam quajtur njerëzit tradhtarë dhe kam rrezikuar jetën e tyre. Nuk e kam barrën që i kam ngrënë gjitha qershia një nga një. Nuk e kam barrën që kam rrezikuar të ardhmen e vendit për shumë vite, jam shumë i qetë në këtë drejtim. Por, pse ti duhesh të ballafaqosh veten tënde, kjo është brengë për ty dhe po shijojë çdo sekondë…Koha kur Vetëvendosja ka pasur dorë në LDK ka vdekur, tash kisha thënë brengosu pak në rrethin tënd se çka po mendojnë”, deklaroi ai.
Këtij të fundit i reagoi sërish Kurti, kur tha se LDK-në e ka marrë lumi, sipas tij lumi Vjosa, duke aluduar në presidenten Vjosa Osmani.
“Ka dy vite që LDK-në e ka marrë lumi. LDK-në e ka marrë lumi, e ka marrë lumi Vjosa”, theksoi ai.