Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi sot se e dënojnë gjuhën e pushtetarëve, që sipas tij, po e mbrojnë kryeshefin e KEK-ut, e që siç tha ai, po sulmojnë Prokurorinë dhe institucionet e drejtësisë. Ai tha se “kjo është mbrojtje e akterëve kriminal e mafioz”.
“Ne po ashtu dënojmë gjuhën e pushtetarëve, të cilët blanko mbrojnë një njeri të lidhur në pranga nga Policia e Kosovës e në anën tjetër sulmojnë Prokurorinë dhe institucionet e drejtësisë, të cilat po bëjnë punën e tyre. Ky s’është ndryshimi për të cilin Kosova ka pasur nevojë, ky është mbrojtje e akterëve kriminal e mafioz e një mafie energjetike të madhe në Kosovë. Për këtë ndryshim Kosova nuk ka pasur nevojë asnjëherë”, tha ai.
Abdixhiku u shpreh se gati që 10 muaj Kosova nuk e ka njërin prej blloqeve më të rëndësishme të saj, bllokun A5, me ç’rast, tha se ka interesa mafioze energjetike që të përfitojnë prej situatës.
“Tanimë ne kemi ngritur çështjen e keqmenaxhimit të Korporatës ElektroEnergjetike të Kosovës, tash e sa muaj për faktin e vetëm që blloku A5 i Termocentralit Kosova A është jashtëfunksionit nga 19 korriku i vitit 2022. Pra, po bëhen gati 10 muaj që Kosova nuk e ka njërin prej blloqeve më të rëndësishme të saj. Dhe për bindjet e LDK-së, këtu ka një motiv mafioz energjetik, sepse për aq kohë sa blloku A5 është jashtë funksionit, pra s’punon, s’prodhon rrymë dhe s’prodhon rrymë që ta din inga 130 mega wat në orë, pra për aq kohë sa s’prodhon rrymë ka interesa mafioze energjetike që të përfitojë prej kësaj situate”, tha ai.
Tutje, Abdixhiku tha se riparimi i bllokut A5 do të merrte kohë vetëm dy muaj. Sa i përket kësaj çështjeje, ai adresoi kriktika edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Është një zyrtar i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje nga partia në pushtet, nga kryeministri Albin Kurti, pra në krye të një ndërmarrje që për 10 muaj po saboton punën e kësaj ndërmarrjeje dhe në këtë kupolë të krimit të organizuar mafioz energjetik, pra që nisë nga Nagip Krasniqi e përfundon tek tregtari energjetik Martin Berishaj, i cili tërheq 1.4 milionë para kesh në Prishtinë, mbi këtë kupolë të krimit ekziston vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, tha Abdixhiku.
Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi është arrestuar dje për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interest”.