Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet lokale. Në Facebook i pari i LDK-së shkroi se askush s’guxon ta prekë demokracinë.
Sipas tij, shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar.
“Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”, shkroi ai mes tjerash.
Abdixhiku tha se ende nuk ka marrë përgjigje nga kryeministri për shkurtim fushate.
“Propozimi im për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigjje nga kryetari i partisë së parë. Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë”, shkroi ai më tej.
I pari i LDK-së tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është gati për organizimin e tyre. Si dhe bëri thirrje që fushata të shkurtohet e tubimet të zvogëlohen./UBTNews