Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku konsideron se 17 tetori, dita kur u mbajtën zgjedhjet lokale në Kosovë, është rikthim për partinë që ai drejton.
I pari i LDK-së shkroi në Facebook se 17 tetorin do ta kujtojnë me krenari e 14 shkurtin si mësim.
“Si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari; siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim. Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë – dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë.Veprimtarët tanë i falënderoj për rezultatin e arritur. Një rikthim vërtetë i madh. Vend për mburrje, festë e garë fituesish s’ka. Mbështetja për ne s’është kundër askujt tjetër. Prandaj të punojmë për raundin e ri; e të qëndrojmë kokëulur por krenarë përballë qytetarëve tanë. Besimin e tyre duhet ta kujdestarojmë me plot kujdes si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Politikën duhet ta shohim vetëm si përgjegjësi”, shkroi Abdixhiku.
LDK-ja ka fituar Pejën e Lipjanin pa balotazh, ndërsa në nëntë komuna tjera do të garojë në nëntor në balotazh./UBTNews