Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.
Ky i fundit ka uruar kryekuvendarin për detyrën e re dhe ka shfaqur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit. Në këtë kontekst, ambasadori Abbott ka ofruar mbështetje për procesin e reformës zgjedhore, sikurse edhe për punën e Kuvendit të Kosovës bashkë me trupat përcjellëse.
Kurse kryetari Konjufca ka falënderuar ambasadorin Abbott për ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar në të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Ai e ka njoftuar ambasadorin se synimi i tij në krye të këtij institucioni është miratimi pa vonesë i ligjeve, zhvillimi i diplomacisë parlamentare dhe këmbimi i praktikave të mira me Mbretërinë e Bashkuar.
Në këtë takim është biseduar edhe për situatën aktuale politike, përmbylljen e procesit me zgjedhjen e presidentes së vendit dhe menaxhimin e situatës me pandeminë./UBTNews