Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq deklaroi sot se shteti malazez “si vend mik i Serbisë dhe Kosovës” është gati të presë raundin e radhës të dialogut Prishtinë-Beograd.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit të Prespës që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, Abazoviq u shpreh se promovimi i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal është një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Malit të Zi.
“Interesi ynë i përbashkët është të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët në një bisedë të hapur”, shkroi ai.
Dje (15 qershor), përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell ka deklaruar se javën e ardhshme do të ftojë Kosovën dhe Serbinë në një takim në Bruksel.