UBT News

Abazi: Themelimi i Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, hap jashtëzakonisht i rëndësishëm

Në kazermën “Adem Jashari”, të martën është inauguruar Qendra Trajnuese për Siguri Kibernetike, qendër kjo e cila mes tjerash do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike. Themelimin e kësaj qendre profesori i UBT-së, Blerton Abazi e konsideron si hap të rëndësishëm në trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve në këtë fushë.

“Themelimi i kësaj qendre është hap jashtëzakonisht i madh dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse kjo do të jetë qendër ombrellë përmes së cilës do të trajnohen të gjithë zyrtarët publik nga institucione të ndryshme, ku brenda saj do të ketë staf jashtëzakonisht profesional, staf ndërkombëtar dhe lokal te cilët janë trajnuar dhe zhvilluar për t’i ndarë përvojat e tyre, kapacitetet e tyre me te gjithë zyrtaret tjerë publik në nivel te Republikes se Kosoves”, deklaroi Abazi.

Abazi vlerëson se Kosova është në rrugë të mirë sa i përket fushës së sigurisë kibernetike dhe se janë duke u ndërmarrë edhe hapa të tjerë në këtë drejtim.

“Pas aprovimit të ligjit për siguri kibernetike, është edhe në proces themelimi i Agjencisë për Siguri Kibernetike, në ndërkohë është inauguruar qendra trajnuese dhe janë dhjetë akte nënligjore në diskutim publik, që lidhen drejtpërdrejt me fushëveprimin dhe veprimet konkrete që duhet të ndërmerren ne fushën e sigurisë kibernetike”, deklaroi ai.

Profesori Abazi tha se Kosova ka sistemin më të sofistikuar në rajon sa i përket mbrojtjes nga sulmet kibernetike, megjithatë evidenton mungesën e vetëdijes kibernetike te qytetarët.

“Ajo që mungon shumë është vetëdija kibernetike në nivel të qyetetarëve, përmes se cilës qytetarët do të vetëdijesohen që fjalëkalimet, paswordet, të mos i ndajnë me të tjerët”, deklaroi Abazi mes tjerash.

Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike ka infrastrukturën ligjore lidhur me sigurinë kibernetike, duke përfshirë edhe Kurrikulën trajnuese./UBTNews/

Realizoi: Shkurte Berisha

Exit mobile version