Deputeti i Lëvizjes së Vetëvendosjes, Haki Abazi, pas përfundimit të intervistimit nga Prokuroria Speciale për deklaratat e tij për rastin Dehari, tha se nuk do të ndalet pavarësisht presioneve që mund të shkojnë nga drejtime të ndryshme.
Abazi u shpreh se “ajo që duhet të kuptuar është se kur hyn palaqoja në pallat mbretëror nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkus”. I pyetur se për kë ishte kjo deklaratë, ai nuk dha përgjigje.
Për shkarkimin e tij nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Abazi tha se ka ardhur nga guximi i tij për të shtruar tema kritike për shoqërinë.
“Të gjitha pjesët tjera janë pjesë e prokurorisë. Ashtu edhe siç e kam bërë deklaratën time në hollin e Kuvendit, është çështje e prokurorisë që të merret me këtë çështje dhe të realizojë drejtësinë…Nuk mundem me dhënë asnjë informacion për këtë çështje të hetuesisë dhe prokurorisë. Por, si deputet dhe si qytetar i lirë i Kosovës, të cilit i garantohet e drejta e fjalës dhe shërbimin në interes të publikut, nuk do të ndalem që pavarësisht limitimeve që mund të ekzistojnë nga presioni deri në realizimin e të drejtave të mija si deputet e si qytetar në një shoqëri normale, tani pjesa tjetër është politike. Presioni mund të shkojë në drejtime të ndryshme, por shkarkimi im si kryetar i komisionit vjen për shkak të guximit tim për të qel tema dhe për të shtruar pyetje kritike për shoqërinë tonë. Por, ajo që duhet të kuptoni është se kur hyn palaqoja në pallat mbretëror nuk bëhët mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkus. Ne kemi bërë gjithë punën tonë për ndryshimin e madh në këtë vend që të vijë drejtësia në vend e zhvillimi të bëhët më kohëzonin shoqëror. Kjo që po ndodhë tani, përfshirë edhe shkarkimin me urdhër nga kryeministri Kurti, është rezultat i guximit qytetar dhe kryerjes së punës sipas betimit tim në Parlamentin e Kosovës. Nuk kam heshtur në të kaluarën, nuk do të hesht as tani, do të kryej punën time si deputet dhe si qytetar aktiv”, u shpreh Abazi.
Kujtojmë që, të enjten (16 shkurt), në një konferencë për medie, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se duhet të kërkohen video-incizimet për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari. Sipas tij, Prokuroria Speciale duhet të intervistojë kryeministrin, Albin Kurti, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, etj.