Deputeti Haki Abazi tha se partia në pushtet teksa flet për Lojërat Mesdhetare që do të organizohen në vitin 2030, dëshiron të tërheq vëmendjen prej Milan Radojqiqit. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje e cila dikur rrotullonte makinat e EULEX-it, tashmë edhe po ia vazhdon mandatit. Po ashtu, ai u shpreh se qeveria aktuale nuk guxon që të ju bëjë zë, as deputetëve të Listës Serbe të cilët vijnë në kuvend për të marrë mëditjet.
Në seancë plenare, deputeti i pavarur ka numëruar dështimet e Qeverisë Kurti, ku mes tjerash përmendi edhe marrëdhëniet me Shqipërinë.
“Shumë kisha dashur me thënë fillim të mbarë, por kur del partia në pozitë dhe flet për Lojërat Mesdhetarë që do të mbahen në 2030, tregon që krejt çka është duke dashur të bëjë është të tërheq vëmendjen prej Radojqiqit. Ka kësi, ka edhe qisi. Ka Radojqiq edhe koordinim me ata shoktë e juaj që erdhën e nuk guxoni me të bëni zë asnjë. Që vinë i marrin paratë e taksapaguesve të Kosovës, ju vazhdoni të paguani rrymën si këta tjerët që kanë qenë në pushtet për 20 vjet dhe nuk guxoni të bëni zë. Ju jeni të njëjtit që ia vazhdoni mandatin EULEX-it, të cilët vazhdojnë të bastisin shtëpitë e veteranëve të UÇK-së, të cilët makina i ka rrotulluar dikur Lëvizja Vetëvendosje. Është ky kryeministër, është ky legjislacion që nënshkruan mandate, që vazhdon degradimi i luftës çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Abazi.
Deputeti Haki Abazi pas fjalimet të tij ka shpërndarë në sallën plenare mbishkrime ku shkruan “Zdravo Banda” dhe “E di Sllavko”.