Deputeti Haki Abazi tha se Kurti i cili dikur deklaronte se asnjëherë nuk pranon të nënshkruaj asnjë dokument për çështje të brendshme, po përgjërohet për nënshkrim të Vuçiqit.
“Unë kam një gjëegjëzë këtu, si quhet një gjë që është vetëmenaxhim sipas pikës 7 e ndërlidhur me pikën 10. Ama këtë përgjigje e pranoj veç prej atyre që e kanë kartelën e Lëvizjes Vetëvendosje. Çka quhet një gjë që është vetëmenaxhim sipas pikës 7 të marrëveshjes e ndërlidhur me pikën 10. Le të qohet zotëri kryeministër dhe të shpjegon se qysh qenka më mirë që nuk përfunduam veç me pikën por përfunduam edhe me vetëmenaxhimin e autonomisë substanciale”, deklaroi ai.
Abazi teksa kujtoi deklaratat e dikurshme të kryeministrit Albin Kurti, i tha atij “a je serbofil”.
“Serbofilë janë kryeministrat që pranojnë asociacion. Çka je sot zotëri kryeministër ti, a je serbofilë? Hajde shkojmë pak më tutje, ‘nuk do të ketë kurrë asociacion me kompetenca ekzekutive, apo kompetenca jo-ekzekutive, monoetnike’. Çka është kjo, mos jemi duke folur për komunitete tjera, jo jemi duke folur për një komunitet serb i cili është bërë mbi të gjithë, bile edhe mbi 95 për qind të shqiptarëve, sepse veriu është i rëndësishëm, por jugu është më i rëndësishëm”, shtoi ai.