Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka kritikuar Qeverinë edhe në Kuvend se po miratojnë buxhet pa strategji për energji.
Deputeti Abazi ka kërkuar nga ekzekutivi që të futet në prioritet buxhetor sigurimi jetësor i Policës së Kosovës, minatorët dhe ngritja e shërbimeve në administratën publike.
“Është fatkeqësi që po miratojmë buxhetin dhe nuk kemi strategji të energjisë të miratuar. Keq e kanë lënë opozita, duke na mbajtur në krizë të përhershme për energjinë dhe vazhdojmë në pozitë të njëjtë me çështjen e energjisë. Viti i ardhshëm nuk duhet të na gjej në këtë gjendje”, theksoi ai.
Deputeti Abazi në seancën ku po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2023, tha se 20 vjet pas luftës është e pa kuptimtë që shteti ynë të vazhdojë të ketë policë të cilët nuk kanë sigurim jetësor.
Ai kërkoi të buxhetohet sigurimi jetësor për zyrtarët e rendit, pasi që sipas tij, siguria e tyre është në rrezik.
“Dua të shkoqis disa çështje që do të duhej të ishin prioritet në ditët e muajt, e vitet në vazhdim. Sigurimi jetësor për Policinë e Kosovës. 20 vjet pas luftës, 14 vjet pas pavarësisë, është e pa kuptimtë që shteti ynë të vazhdojë të ketë policë të cilët nuk kanë sigurim jetësor. Sikur të ishin policët e një shteti pa krim të organizuar, pa korrupsion të lartë, ndoshta edhe e kishim pasur komoditen të besojmë që këta policë që duhet të bëjnë hetimet e deri te ata që duhet ta ruajnë sigurinë tonë. Ka shtete që policia nuk mbajnë as armë, për shkak se siguria e tyre nuk është në rrezik. Por në një vend ku nëntoka, krimi i organizuar brenda shtetit dhe në rajon është kaq i madh, rreziku për policin tonë është i përditshëm”, theksoi ai.
Abazi kërkoi që edhe në kategori të veçantë buxhetore të futen edhe minatorët, deputetët e 2 Korrikut dhe buxhetimi për reformë të thellë të administratës publike.
Ai shtoi se vendi ka një administratë jofunksionale të mbingarkuar, ku qytetarët nuk po marrin shërbimet e duhura nëpër sportele.