UBT News

Abazi: Ekzistojnë video që tregojnë kush i zhduki mostrat e rastit Dehari

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi deklaroi sot se ekzistojnë audioincizime dhe videoincizime që tregojnë se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit.

Abazi ka thënë se ekzistojnë audioincizime që tregojnë “diskutimet mes Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusari-Lilës dhe Donika Mihajlit për ngufatje të zërave të deputetëve brenda parlamentit”.

Ai ka thënë se çështja e publikimit të këtyre audioincizimeve është çështje e Prokurorisë, derisa ka ftuar gazetarët që t’i kërkojnë ato.

“Videoincizimet janë ato që duhet t’i kërkoni ju për të zbuluar se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit… Ne nuk mund të heshtim para kësaj… IML është i vëzhguar 24-orë nga kamerat dhe dihet qartë kush është afruar tek frigoriferi dhe i ka zhdukur mostrat”, ka thënë ai.

Abazi në një konferencë për media të enjten ka thënë po ashtu se kryeministri Albin Kurti ka vendosur ta shkarkojë nga posti i kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme. Kjo siç thotë ai, pasi kryeministri Kurti mendon se ai (Abazi) do të bëhet pjesë e rrëzimit të Qeverisë.

Ai ka mohuar një gjë të tillë, për çka ka thënë se as nuk do të dalë nga grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e as nuk do të jetë votë kundër Qeverisë Kurti.

Ai e ka quajtur gënjeshtër deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu kur ka thënë se ka votim dhe votim të GP të LVV-së për shkarkimin e tij nga drejtimi i Komisionit për Punë të Jashtme. 

Exit mobile version