UBT News

Avdimetaj: Ekonomia e Kosovës e rrezikuar nga luhatjet në tregut ndërkombëtar

Të dhënat e importit të vitit 2025 nga dogana tregojnë se Kosova mbetet thellësisht e varur nga burimet e jashtme të lëndëve djegëse dhe energjisë, pasi importi i derivateve të naftës arrin në mbi 474 milionë euro, ndërsa importi i energjisë elektrike kap vlerën e rreth 259 milionë euro, duke i bërë këto dy kategori ndër më të rëndësishmet në strukturën e përgjithshme të importeve të vendit

Shkruan: Kestrim Avdimetaj

Ngjarjet e fundit globale, sidomos zhvillimet në Lindjen e Mesme, midis Izraelit dhe Iranit, kanë ndikuar negativisht ne ekonominë globale, duke rritur në mënyrë rapide çmimin e naftës dhe gazit. Këto zhvillime kanë shkaktuar goditje të rëndë në zinxhirin e ofertës për vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim, të cilat kanë varësi të lartë nga importi i lëndëve djegëse dhe i energjisë.

Për më tepër, vendet e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë Kosova, kanë një varësi të lartë në importe. Sipas statistikave te Doganës së Kosovës, importet nga viti 2020 deri në vitin 2025 janë rritur rreth 114 për qind, dhe qëndrojnë mbi nivelin mesatar (60% – 70%) të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm përgjatë vitit 2025, shuma e importeve ka tejkaluar vlerën prej 7 miliardë euro, ndërsa vlera e eksporteve më pak se 1 miliard euro, duke krijuar kështu një deficit shumë të lartë tregtar në Kosovë.

Të dhënat e importit për vitin 2025 tregojnë qartë se Kosova ka një varësi jashtëzakonisht të lartë nga nafta dhe energjia e importuar. Kjo krijon një ekspozim ekonomik shumë të ndjeshëm ndaj zhvillimeve gjeopolitike globale, pasi që Kosova importon 100 për qind të derivateve, dhe në periudha të caktuara edhe energji elektrike, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese.

Të dhënat e importit të vitit 2025 nga dogana tregojnë se Kosova mbetet thellësisht e varur nga burimet e jashtme të lëndëve djegëse dhe energjisë, pasi importi i derivateve të naftës arrin në mbi 474 milionë euro, ndërsa importi i energjisë elektrike kap vlerën e rreth 259 milionë euro, duke i bërë këto dy kategori ndër më të rëndësishmet në strukturën e përgjithshme të importeve të vendit. Një varësi kaq e theksuar nga energjia e importuar dhe derivatet tregon se ekonomia e Kosovës mbetet shumë e ndjeshme ndaj zhvillimeve që ndodhin jashtë kufijve të saj.

Çdo tension global, në rajone apo vende që kanë ndikim të madh në furnizimin më naftë, zakonisht shoqërohet me rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Kjo rritje pastaj afekton në rritjen e çmimit të lëndëve djegëse, shtrenjtimin e kostove të transportit dhe prodhimit vendor, duke e ushqyer kështu rritjen e inflacionit, ku vetëm  gjatë 2025 mesatarja e inflacionit në Kosovë ishte 3.9 për qind (më e lartë në raport më vendet e EU), ndërsa aktualisht sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së  Statistikave të Kosovës në janar inflacioni është rritur në 5.8 për qind.

Si rezultat i këtyre zhvillimeve globale, çmimet e produkteve bazë rriten, ndërsa kostoja e jetesës bëhet më e lartë në Kosovë, duke e vështirësuar ruajtjen e stabilitetit ekonomik. Në mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme prodhuese vendore në sektorin e energjisë dhe pa rezerva strategjike të konsiderueshme, Kosova e ka më të vështirë të përballojë goditje të tilla të jashtme. Duke e bërë ekonominë e Kosovës më të ekspozuar ndaj luhatjeve të tregut ndërkombëtar të naftës dhe e kufizon hapësirën për reagim në situata të krizave globale.

(Autori është Profesor në Fakultetin e Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT)

Exit mobile version