Reperi amerikan A$AP Rocky ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me incidentin e rëndë që ndodhi në muajin mars, kur një grua dyshohet se hapi zjarr drejt shtëpisë së tij dhe të partneres së tij, Rihannas, në Beverly Hills.
Më 25 mars, autoritetet amerikane ngritën 14 akuza penale ndaj Ivanna Ortizit, përfshirë tentativë vrasjeje, 10 akuza për sulm me armë gjysmëautomatike dhe tri akuza për të shtëna ndaj një objekti banimi. Sipas prokurorisë, ajo dyshohet se më 8 mars qëlloi me një pushkë gjysmëautomatike të tipit AR-15 drejt rezidencës së çiftit.
Në një intervistë për revistën “VIBE”, A$AP Rocky e cilësoi ngjarjen si jashtëzakonisht të rëndë, duke treguar ndikimin që ajo ka pasur te familja e tij.
“Dikush tentoi të më dëmtonte mua dhe familjen time. Kjo na mori shumë nga qetësia dhe lumturia për të jetuar të lirë. Nuk dua të më merret paqja dhe gëzimi”, u shpreh artisti.
A$AP Rocky dhe Rihanna jetojnë me tre fëmijët e tyre, RZA, Riot dhe Rocki. Sipas mediave amerikane, Rihanna dhe fëmijët ndodheshin në shtëpi në momentin e të shtënave, por fatmirësisht askush nuk pësoi lëndime.
Prokurori i Qarkut të Los Anxhelosit, Nathan Hochman, dënoi ashpër incidentin, duke theksuar se përdorimi i armëve të zjarrit në zona të banuara paraqet rrezik serioz për jetën e qytetarëve.
“Hapja e zjarrit në një lagje të populluar është jashtëzakonisht e rrezikshme. Jemi mirënjohës që askush nuk u lëndua, por një dhunë e tillë e papërgjegjshme do të ndiqet penalisht”, deklaroi ai.
Nëse shpallet fajtore për të gjitha akuzat, Ortiz mund të përballet me burgim të përjetshëm.
Burime pranë çiftit kanë bërë të ditur se pas incidentit Rihanna ka forcuar masat e sigurisë dhe ka shtyrë disa angazhime profesionale. Sipas tyre, këngëtarja mbetet e tronditur nga fakti se familja e saj mund të ketë qenë në shënjestër.
“Rihanna dëgjoi të shtënat, por fillimisht nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte. Edhe me një ekip të fortë sigurie, është e frikshme të kuptosh se diçka e tillë mund të ndodhë”, tha një burim i afërt me familjen.
