Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se kjo parti nuk do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin e Pagave, derisa nuk dihet vlera e koeficientit.
Sipas Tahirit, Ligji i Pagave nuk duhet të kthehet në pikën zero, pasiqë rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme.
“Ligjin e Pagave, AAK-ja nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri sa nuk dihet vlera e koeficientit, pra deri sa nuk kuptohet sa është rroga e një zyrtari publik. Ky ligj, nuk duhet, edhe një herë të kthehet në pikën zero, pasi që rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme, por duhet gjithësesi të kontestohen në Gjykatë së paku dy probleme: 1) ulja e pagave në Sistemin e Gjyqësorit dhe 2) diskriminimi i administratës publike i komunave në raport me rritjen e pagave dhe kategorizimin e të emëruarve politikë. Të dy pikat janë çështje serioze për Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Tahiri, teksa thotë se atë për Zyrtarët Publik do ta dërgojnë në Kushtetuese.
Sipas Tahirit Ligji për Zyrtarët Publik duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese tash, pasiqë i njëjti vendos kontrollin partiak mbi administratën.