Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka hedhur kritika ndaj qeverisë Kurti për gjendjen në sektorin e shëndetësisë.
Në një konferencë për media, deputeti i AAK-së u shpreh se janë duke mbledhur nënshkrime lidhur me një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të diskutohet lidhur me gjendjen në këtë sektor. Sipas Dreshajt, gjendja e shëndetësisë në Kosovë është e mjerueshme, pasi sipas tij listat me pritje po vazhdojnë të rriten.
“Ne si grup parlamentar i AAK-së kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme parlamentare lidhur me gjendjen në shëndetësine dhe sigurimet shëndetësore. Arsyeja pse e kemi bërë këtë është një gjendje vërtetë e mjerueshme në shëndetësi me ç’rast vazhdojnë të jenë ende aktuale dhe në rritje listat për pritje, pastaj vazhdojnë problemet e njejta me listën esenciale të barnave në shërbimin klinik universitar të Kosovës.Pastaj vazhdonë që të mbetën problemet e njejta në lidhur me infrastrukturën e dobët në shëndetësi dhe njëkohësisht vazhdon që të perzistojë ikja e personelit shëndetësor jashtë vendit, pra atë që me shumë përvojë e shumë mund e kemi ngritur”, tha ai.
Tutje ai bëri thirrje që shëndetësia të bëhet prioritet i qeverisjes, pasi që sipas tij nevojiten investime urgjente në këtë sektor, teksa bëri thirrje që të votohet ligji për sigurime shëndetësore sa më parë që është e mundur.
“Ne mund të konstatojmë se urgjent shëndetësia duhet të vëhet prioritet i qeverisjes së vendit. Nevojiten investime urgjente në shëndetësi. Ju e dini se në vitin që lamë pas deri në fund të shtatorit të vitit 2023, vetëm 8% e investimeve kapitale janë realizuar në shëndetësi, ndërsa deri në fund të vitit nuk kemi ndonjë shifër të saktë. Flitet që mund të jenë dikun të 40%. Urgjent duhet të hartohet strategjia për shëndetësi. Me veprime ad-hoc nuk menagjohet vendi dhe urgjent të aprovohet ligji për sigurime shëndetësore e jo të lihet për qershor, por të sillet nesër që grupi parlamentar dhe parlamenti i Kosovës ta përmbyllë një plagë e cila është duke përzistuar me vite në shëndetësi”, tha Dreshaj.