Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës heqjen për një periudhë tremujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare dhe përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik.
Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, ka thënë se kjo duhet të bëhet për shkak të inflacionit të lartë në Kosovë. Lekaj ka thënë se shefi i Qeverisë është në ekskursion dhe se ministrat e tij nuk po ndërmarrin masa në të mirë të qytetarëve.
“Reagimi i Qeverisë në këtë kohë krize as që shihet. Kryeministri është ne ekskursion e ministrat e dikasterëve ekonomike janë të padukshëm. Madje për secilin propozim, iniciativë të opozitës, nuk ekziston as minimumi i vullnetit për diskutim, apo gjetje të alternativave të përbashkëta. Pra thjeshtë, ende janë në logjikën “Krejt dhe drejt””, ka thënë Lekaj.
“Ekonomia e Kosovës është para kolapsit. Për të ruajtur vitalitetin e zinxhirit ekonomik, na duhen masa urgjente. Masat urgjente duhet të përfshijnë së paku 3 segmente. E para, përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore; E dyta, në përkrahjen qoftë direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik; dhe e treta, të sigurohet furnizimi apo kontratat për produktet bazike dhe kontrolli i tregut. Tek përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore, propozojmë heqjen për një periudhë tre mujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare, përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik, masa emergjente të rishikimit të çmimeve të kuotuara në projektet e investimeve publike”, ka thënë Lekaj.