Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se duhet mbajtur një seancë e jashtëzakonshme në të cilën do të diskutohet Ligji për paga. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri bëri të ditur se janë duke i mbledhur nënshkrimet për të ftuar një debat parlamentar, ku do të kërkohet që të ketë rritje të koeficientit nga 105 në 129. Tahiri paralajmëroi inicimin e një nisme ligjore e cila do të kërkon amendamentimin e Ligjit për buxhet, nëse nuk do të ketë zhvillime të reja. Derisa theksoi se dialogu ka degraduar tërësisht.
Tahiri përmes një konference për media përmendi institucionet që sipas tij janë dëmtuar nga Ligji për paga, derisa specifikoi Policinë e Kosovës.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është duke i mbledhur nënshkrimet për të ftuar një debat parlamentar në një seancë të jashtëzakonshme me 40 nënshkrime, për të adresuar katrahurën në administratën shtetërore e cila vjen si rezultat i neglizhimit total të kësaj qeverie ndaj një strukture të shtetit e cila realisht, është struktura që i jep drejtim dhe zhvillim, është administrata shtetërore. Janë dy çështje kryesore që do t’i ngrisim në këtë seancë të jashtëzakonshme. E para ka të bëjë me Ligjin e pagave, respektivisht me ligjin për zvogëlimin e pagave i cili vjen si rrjedhojë e totalisht neglizhimit që qeveria e ka bërë me këtë ligj,. A mund të besoni që rreth 900 punëtorë civilë në Policinë e Kosovës, prej tyre 600 kanë zvogëlim të pagave. Pra janë diku rreth 900 punëtorë në administratën civile në polici diku rreth 600 kanë zvogëlim të pagave. A mund të besoni që gradat prej majorit, pra policët në shërbim, prej gradës major e deri tek gjenerali, tek drejtori i Policisë kanë zvogëlim të pagës prej 120 deri në 600 euro”, tha Tahiri.
Tutje, Tahiri kërkoi nga qeveria aktuale që ta rritë koeficientin për paga nga 105 në 129, derisa potencoi edhe institucionin arsimor si të “prekur” nga ky ligj.
“A mund të besoni se në arsim, në arsimin e lartë shumica e profesorëve kanë zvogëlim të pagave e lëre më për anomalitë në hierarkinë e pagës. Sekretari i përgjithshëm i një fakulteti, po e marrim fakultetin e edukimit, e ka pagën më të vogël se zyrtari i tij për teknologji informative. Pastaj, në qoftë se e shohim pjesën e administratës së shtetit, nuk ka lëvizë në shërbim civil asgjë, ka vetëm degradim. Andaj, ne si grup parlamentar, në këtë debat do t’iu japim argumentet tona pse duhet që koeficienti të ngritet nga 105 në 129, së paku dhe për këtë shpresoj që të kemi mbështetjen jo vetëm të 40 deputetëve, po të deputetëve që e dinë se e drejta është në anën tonën. Në qoftë se kjo nuk lëvizë, atëherë ne si grup parlamentar do të iniciojmë një nismë ligjore, nismë ligjore e cila do të kërkon amandamentimin e ligjit për buxhet tani dhe jam i bindur se deputetët do të na mbështesin”, tha Tahiri.
Ndërkaq i pyetur se çfarë pret nga takimi që do të mbahet në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, Tahiri e quajti degradim faktin që Kosova vazhdon të mbetet nën sanksione.
“Në Bruksel dialogu ka degraduar totalisht prej një situate kur do të duhej të qartësohej rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, partneritetit për paqe, beneficioneve që Kosova do t’i merr në këtë proces, Kosova sot është e sanksionuar. Ajo që ka bërë kryeministri Kurti sot është që e ka sjellë Kosovën që të diskutohen çështjet e brendshme atje. Pra, zgjedhjet në katër komuna, tanimë prej vendim diskutimit në parlament e në Qeveri të Kosovës, në Prishtinë, i ka kthyer në një diskutim të palëve në Bruksel. Ky është degradimi që ka ndodhur”, u shpreh Tahiri.