Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka njoftuar se ka vendosur që fushatën konvencionale për zgjedhjet lokale ta mbajë vetëm në pesë ditë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se vendimi për këtë erdhi pas situatës së rëndë epidemiologjike me COVID-19. Prej nesër, Haradinaj thotë se do të përpiqen që të gjejnë mënyra alternative të komunikimit për të shpalosur programin dhe objektivat për zgjedhjet e 17 tetorit.
“Duke pasur parasysh situatën e rëndë epidemiologjike me Covid-19, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vendosur që Fushatën konvencionale për zgjedhjet lokale Tetor 2021, ta kufizojë në 5 ditë. Poashtu jemi të përcaktuar që edhe këtë afat 5 ditor të fushatës, ta zhvillojmë në përputhje të plotë me kriteret dhe rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit. Të nderuar qytetarë, struktura e simpatizantë të AAK-së, do të përpiqemi që duke filluar nga nesër, të gjejmë mënyra alternative të komunikimit dhe të shpalosim programin dhe objektivat tona për zgjedhjet e 17 Tetorit. Gjatë kësaj kohe do ta zbatojmë modelin e fushatës digjitale. Na priftë e mbara”, ka shkruar Haradinaj.