Të shtunën e javës së kaluar, Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Jafar Montazeri tha në një konferencë se “policia morale” e Iranit nuk ka bëtë bëjë asgjë me “departamentin e drejtësisë” dhe u “shpërbë nga ata që e krijuan”.
Deklaratat e tij u raportuan nga agjencia shtetërore e lajmeve ISNA dhe nxitën diskutime në mbarë botën se Republika Islamike po i përgjigjej presionit masiv publik pas muajsh protestash antiqeveritare të shkaktuara nga vdekja e një gruaje të re kurde, Jina Mahsa Amini.
Amini vdiq më 16 shtator pasi u ndalua nga “policia e moralit” nën dyshimet se nuk e mbante siç duhet hixhabin. Autoritetet kanë mohuar raportimet se ajo është rrahur dhe pretendojnë se 22-vjeçarja vdiq si pasojë e një sulmi në zemër.
“Deklarata u nxor nga konteksti”
Megjithatë, të hënën, transmetuesi shtetëror iranian Al-Alam raportoi se deklaratat e Montazerit ishin nxjerrë jashtë kontekstit dhe se departamenti i drejtësisë i Iranit do të “vazhdojë të monitorojë sjelljen publike”.
Irani “nuk ka një “polici të moralit”, përkundrazi një “polici të sigurisë publike” dhe departamenti i drejtësisë nuk ka plane për ta shfuqizuar atë, as nuk do të ndërmarrë një hap në këtë drejtim”, raportohet të ketë thënë Montazeri sipas mediave lokale.
Sipas aktivistes për të drejtat e grave iraniane, Mahdieh Golroo, deklaratat e Montazerit prezantojnë një taktikë “të provuar dhe të vërtetë” të strategjisë së informacionit të Republikës Islamike.
“Së pari, Irani pretendon diçka dhe angazhon media për të rritur shpresat se ky sistem mund të mësojë dhe të reformohet”, tha aktivistja 36-vjeçare që jeton në Suedi.
Ajo shtoi se megjithëse njësitë e lëvizshme të “policisë së moralit” mund të ndryshojnë shumë mirë nga forma e tyre aktuale, kjo nuk kërkon një ndryshim në strategjinë e përdorimit të pushtetit shtetëror për të zbatuar sjelljen publike, si kërkesa për gratë që të mbajnë shami.
Rrjeti iranian i spiunëve të moralit
Edhe nëse shpërbëhet policia e moralit, një grup tjetër mund ta marrë përgjegjësinë mbi kontrollin ndaj paraqitjes së grave në publik.
Për shembull, mediat iraniane kanë raportuar që atëherë kontrolle më të ashpra mbi kodet e rrepta të veshjes, veçanërisht mbi hixhabin, që po kryhen nga organizata, e përkthyer afërsisht nga farsi si zyra për “Urdhërimin e së mirës dhe ndalimin e së keqes”.
Kjo organizatë funksionon paralelisht me “policinë e moralit”. E themeluar në vitin 1993, ajo drejtohet nga një klerik në Teheran dhe shteti financon veprimtarinë e saj.
Kuadrot e saj janë kryesisht vullnetarë të cilët japin informacion në lidhje me shkeljet e pretenduara të rregullave të “moralit” në një nga 500 zyrat në të gjithë Iranin./UBTNews/