UBT News

A (s)po bën shteti mjaftueshëm për mbrojtjen e grave?

Dy gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre brenda pesë ditëve në Kosovë, njëri rast u shënua më 12 prill në Ferizaj e tjetri më 16 prill në Pejë. Në Ferizaj gruaja u vra para Qendrës për Punë Sociale, ndërkaq rasti në Pejë konfirmohet të ketë ndodhur para fëmijëve të së ndjerës. Të dyshuarve kryesorë u është caktuar masa e paraburgimit prej nga një muaji. Me dy rastet e fundit shkon në 99 numri i grave të vrara nga partnerët apo bashkëshortët që nga paslufta në Kosovë.

Neglizhenca e institucioneve, mungesa e mbështetjes familjare e institucionale, mosndëshkueshmëria, gjendja ekonomiko-sociale, posedimi i armëmbajtjeve pa leje, konsiderohen disa prej faktorëve që po çojnë drejt dhunës e në skenarin më të keq drejt vrasjes së grave në Kosovë.

Elmi Kelmendi, profesor universitar, në një intervistë për UBTNews tha se rastet e fundit janë dëshmi që Kosova po përballet me nivel të lartë të kriminalitetit. Sipas tij, kjo gjendja shpërfaq mentalitetin ekzistues në shoqërinë tonë në raport me gratë.

“Kanë ndodhur vrasje të grave edhe me herët në Kosovë, mirëpo format e vrasjeve që ndodhin sot janë format me brutale sepse sot vrahen nënat në prezencë të fëmijëve, sot dikush paguan vrasës për të vrarë gruan e vet në prezencë të fëmijëve dhe kjo tregon një lloj agresiviteti të paparë ndonjëherë të nivelit të kriminalitetit në Kosovë. Kjo lloj dhune e shprehur tregon një nivel të ulët të mendësisë që po tregohet ndaj femrës sidomos dhuna psiqike që është ndoshta më e rëndë sesa ajo fizike e deri te vrasja”, deklaroi Kelmendi.

Një faktor që sipas sociologes Flaka Ymeri po i kontribuon rritjes së akteve të tilla kriminale është edhe qarkullimi i armëmbajtjeve pa leje. Ymeri fajin ia lë prokurorisë edhe gjyqësorit.

“Qarkullimi i armëmbajtjeve pa leje, që është edhe në numër të madh. Të gjithë kryesit e këtyre krimeve përveç veprës penale për vrasje ngarkohen edhe me armëmbajtje pa leje, e shumica prej tyre kanë qenë edhe për herë të tretë ose të katërt e denoncuar, që është dështim i prokurorisë dhe gjyqësorit”, tha Ymeri.

Gratë viktima të dhunës në familje edhe nën urdhërmbrojtje vazhdojnë të jenë të rrezikuara. Andaj institucionet e Kosovës kanë çaluar në këtë drejtim.

“Praktikisht stagnimi është në start. Ska mekanizma të veçantë që e mbështesin një grua në rast të dhuës. Ne kemi disa mekanizma formal, efektet e të cilave praktikisht as që vërehen diku. Kosova ende nuk ka siguruar një mbrojtje të duhur, edhe femrat të cilat kanë urdhërmbrojtje nga Gjykata ekzekutohen nga burrat ose ish-burrat e tyre. Institucionet kanë qaluar edhe në zbatimin e urdhërmbrojtjës lëre më të bëjnë diçka më tepër. Derisa ne nuk mund të sigurojmë një urdhërmbrojtje paramendoni se çfare mund të ndodhë me femrat që nuk kanë urdhërmbrojtje ose nuk kanë një procedurë të hapur ne raport me bashkëshortin e saj”, tha profesori Kelmendi.

Se çdo hallkë po çalon në parandalimin e dhunës dhe mbrojtjes së grave e thotë edhe profesori universitar, Arian Kadriu. Ai vlerëson se edhe dënimet e ulëta po i shtyejnë kryesit drejt akteve të tilla kriminale.

“Fatkeqësisht në çdo nivel jemi duke stagnuar në mbrojtjen e grave, një nga to është edhe arsyeja ekonomike sociale, gratë viktima të recedivistëve, dhe përfundojnë prapë te abuzuesit e mëhershëm, dënimet nuk janë duke u shqiptuar siç duhet, dhe abuzuesit e tillë apo potenciale e gjejnë një platformë që vazhdojnë të kryejnë këtë aktivitet”, deklaroi profesori Kadriu.

Sipas avokatit Ardian Bajraktari këto raste duhet të jenë këmbanë për shoqërinë dhe shtetin për t’u ofruar grave siguri më të madhe.

“Natyrisht që fakti brenda një periudhe të shkurtër ndodhen dy raste tragjike, kjo e bënë numrin prej 99 grave të vrara që nga paslufta jo vetëm si statistika, para së gjithash marrje të jetëve sidomos nga bashkëshortët, kjo nënkupton që shteti dhe shoqëria duhet të jenë në alarm në sigurim të jetës së njerzve para së gjithash të grave.. meqe kemi se paku dy raste të konfirmuara ku shteti bëhet përgjegjës për humbjen e jetës së grave, siç është rasti i të ndjerës Diana Kastrati”, deklaroi Bajraktari.

Drejt parandalimit të këtij fenomeni mund të kontribuojë një koordinim më i madh ndërinstitucional. Kosova ka legjislacion të avansuar drejt parandalimit të dhunës, megjithatë nuk zbatohet në praktikë.

“E para strategji të parandalimit të fenomeneve të tilla, koordinim me i madh i institucioneve, presidentës dhe institucioneve të tjera. Legjislacion të avansuar kemi, por jo zbatim. Në praktikë po ndodhin fenomene të tilla”, deklaroi ai.

Përveç masave mbrojtëse, avokati Musa Damati e sheh të nevojshme edhe futjen në kurrikula shkollore të lëndeve edukatë ligjore dhe edukatë fetare.

“Mendoj se ka ardhur koha që seriozisht në institucionet publiko-private të futet edhe lëndën e edukates ligjore dhe edukates fetare (religjioze), qofte ajo edhe si lëndë zgjedhore. Mirëpo të rinjtë dhe gjeneratat e reja të edukohen edhe në aspektin e ndërgjegjësimit ligjor, por edhe në aspektin human e moral, që të qojnë drejt parandalimit të akteve të ndryshme kriminale”, deklaroi avokati Damati.

Edhe pse konsiderohet reagim i vonuar, vlerësohet se shteti duhet t’u ofroj vendstrehim të sigurt grave të cilat janë në proces të divorcit. Institucionet relevante të hartojnë politika më të përshtatshme sociale në mbrojtje të grave.

“Strehimoret tashmë janë funksionale dhe janë në numër goxha të madh në Kosovë me regjione kanë strehimore, por nuk po janë ato strehimoret të cilat ndoshta po janë funksionale deri në atë masë që të jenë të sigurta ato gra për shkak se mund të ketë mangësi edhe në kushte, edhe në aspekte teknike të tjera. E mbi të gjitha duhet të ketë politika sociale, jo vetëm të strehohet por edhe të sigurohen politika që ato gra të jenë të pavarura, të pavarësohen ekonomikisht, e sidomos nënat vetushqyese”, deklaroi sociologia Ymeri.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënimin maksimal për vrasje me burgim të përjetshëm. Megjithatë ende nuk ka një vendim përfundimtar me burgim të përjetshëm për rastet e tilla.

“Dënimet të cilat janë paraparë. Kosova pas gjithë këtij niveli të lartë të kriminalitetit, ende nuk kemi një dënim me burg të përjetshëm, vendim përfundimtar me burgim të përjetshëm. Kemi rastin kur një person dënohet në tri instancat me burgim të përjetshëm, ndërkaq Supremja e liron nga të gjitha akuzat. Kjo tregon një problem shumë serioz te sistemi i drejtësisë në Kosovë”, deklaroi profesori Kelmendi.

E politika ndëshkimore mund të ndryshohet.

“Politika ndëshkimore e gjykatave ka mundësi dhe hapësirë që të rishqyrtohet, të zbatohet një politikë ndëshkimore më efikase, në kuptim të shqiptimit të sanksioneve penale sa më të drejta dhe sa më të duhura”, deklaroi avokati Damati.

Javën e kaluar, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar angazhim më të madh të institucioneve në parandalimin e dhunës ndaj grave. Haxhiu ka thënë se do të rishikohet Kodi Penal dhe dispozitat lidhur me armëmbajtjen pa leje. Ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që të zbatohen me përpikëri dispozitat ndëshkuese të Kodit Penal të Kosovës./UBTNews/

Realizoi: Shkurte Berisha

Exit mobile version