Ditë më parë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen përreth kufirit me Kosovën.
Ndërkohë edhe kryeministri Albin Kurti, kishte publikuar pamje të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me vendin tonë. Kjo më pas zgjoi reagime të shumta sa i përket sigurisë.
Në një prononcim për UBTNews profesori Gjon Culaj thotë se Kosova ka dëshmuar nivelin e sigurisë në ngjarjet e shtatorit të kaluar.
“Meqenëse ministri e ka trajtuar një gjë të tillë atëherë është mirë sepse ai dhe autoritetet tona të sigurisë kanë informacione të tilla. Kësisoj kjo iu mundëson me u përgatit… në shtator të vitit të kaluar trupat e tonë të sigurisë kanë dëshmuar se janë gjendje të përballen me sukses me grupe të tilla paramilitare cilat pa asnjë dyshim kanë qenë të mbështetura nga shteti serb”, deklaroi Culaj.
Por sa janë gjasat e një konflikti të ngjashëm sikur ai i shtatorit të vitit të kaluar?
“Ideja ka qenë me krijuar një konflikt të brendshëm për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake të Serbisë në veri të vendit. Tash pas këtij dështimi, pas kësaj humbje të Serbisë po besoj që gjasat që diçka e tillë të përsëritet janë shumë të vogla nuk mund ta përjashtojmë në asnjë mënyrë një skenar të tillë”, shtoi ai.
Këto kërcënime dhe ambicie të Serbisë, sipas Culajt janë të mbështetura nga Rusia, të cilat janë kërcënuese për paqen. Ndërkohë ai tregon nëse mund të ketë përshkallëzim të një konflititi rajonal, nga ndikimi rus.
“Nuk duhet asnjëherë të përjashtojmë një konflikt të tillë në rajon mirëpo Rusia ka tash për tash preokupime të tjera me perëndimin po përballet në Ukrainë, ndërsa është zbehur ndikimi i saj nuk është zhdukur krejtësisht dhe influenca e saj në rajon. Në fakt zgjerimi i BE-së dhe NATO-s është garancia kryesore për parandalimin e një konflikti të tillë eventual”, deklaroi ai.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, polici Afrim Bunjaku mbeti i vrarë pasi patrulla me të cilën ishte, u sulmua nga grupe të armatosura serbe. Ngjarja ndodhi në fshatin Banjskë të Zveçanit, pjesë e banuar me shumicë serbe./UBTNews/
Realizoi: Dea Berisha