Ftesës për takim që kryeministri Albin Kurti ua bëri partive opozitare parlamentare, iu përgjigj vetëm Partia Demokratike e Kosovës. Dy subjektet e tjera politike, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e refuzuan takimin.
Në diskutimin që kishin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tema kryesore e bisedës ishte mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.
Njohësi i çështjeve politike, Bekim Kabashi për UBTNews tregon si e pa takimin mes Kurtit dhe Krasniqit.
“Siç është parë tema kryesore ishte gjetja e një kompromisi për datën e zgjedhjeve, unë e shoh edhe në aspektin tjetër tash pavarësisht partitë opozitare konkurrencën kryesore ose sifduesin kryesor e kanë qeverinë, ka edhe një konkurrencë brenda aspektit opozitar politik sepse partitë opozitare nuk është që kanë qëndrime të njëjta ose agjenda të njëjta madje edhe ideologjikisht nuk janë të njëjta plus edhe ambicia secila prej tyre është të marrin mbështetje elektoriale sa më të madhe”, deklaroi Kabashi.
Ai foli edhe për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen mes këtyre dy partive.
“Unë nuk e shoh si të tillë për arsye sepse rezultatet për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor sepse PDK dhe Vetëvendosja sigurisht nuk do të shkojnë me një listë të përbashkët zgjedhore për koalicion parazgjedhor, por në qoftë se ekziston mundësia e bashkëpunimit atëherë do të jetë pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe nuk mund të definojmë prej këtij momenti për arsye sepse këtë e përcakton rezultati zgjedhor”, shtoi ai.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë u mbajtën më 14 shkurt të vitit 2021. Lëvizja Vetëvendosje atë botë fitoi me mbi 50 përqind të votave të përgjithshme./UBTNews/
Realizoi: Dea Berisha