UBT News

A po i përgjigjen pozitivisht procesit të regjistrimit të popullsisë qytetarët serb?

Më 5 prill nisi procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë në proces, megjithatë probleme janë shfaqur në komunat veriore të vendit.

Kjo për faktin se subjekti më i madh serb në Kosovë, Lista Serbe, u ka kërkuar qytetarëve serb të mos marrin pjesë në regjistrim.

Pavarësisht kësaj, në një prononcim për UBTNews, Drejtori i Departamentit të Statistikave Ekonomike në ASK, Ilir Berisha thotë se po punojnë që pjesëmarrja të jetë sa më aktive.

“Përkundër thirrjeve të partive për bojkot të këtyre zgjedhjeve, qytetarët po i përgjigjen këtij regjistrimi të popullsisë dhe Agjensia e Statistikave është duke punuar intensivisht që pjesëmarrja të jetë sa më aktive edhe prej komunitetit serb”, deklaroi ai.

Sipas tij, edhe vendbanimet serbe në pjesën jugore të Kosovës, po marrin pjesë në regjistrim.

“Edhe ata po i përgjigjen pozitivisht sepse popullsia tashmë është lodhur me thirrjet e këtyre partive politike megjithatë ne presim dhe kanë qenë të planifikuara këto thirrje për bojkot në katër komunat veriore, ne presim një pjesëmarrje aktive të gjithë komunitetit serb në këtë regjistrim të popullsisë”, shtoi ai.

Sa i përket pjesëmarrjes së barabartë të komuniteteve tjera, Berisha shpjegoi hapat që ASK-ja tashmë veçse po i praktikon.

“Pyetësori është përgatitur në tri gjuhë që fliten në Kosovë, shqip, serbisht, tuqisht pasi që është një komunitet me shumicë dhe ka komuna që janë të pasura me gjuhën turke dhe gjithashtu është gjuhë zyrtare në Prizren dhe Mamushë. Ne kemi kontraktuar një numër të madh të pjesëtarëve të komuniteteve të ndyrshme, të cilët do të jenë mbështetës për regjistrimin e komuniteteve tjera siç janë rom, egjiptian, ashkali, boshnjakë, goranë”, deklaroi Berisha.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, del të jetë se Kosova i ka rreth 1.8 milion banorë. Por në atë regjistrim qytetarët serb të komunave veriore të Kosovës nuk morën pjesë, kjo me kërkesë të Beogradit zyrtar.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2 mijë euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Teksa gjoba për bizneset mund të arrijë deri në 20 mijë euro./UBTNews/

Realizoi: Fjolla Gashi

Exit mobile version