Mijëra iranianë kanë dalë në rrugë në protesta kundër qeverisë dhe kanë shfaqur zemërimin e tyre edhe në internet. Disidentët pretendojnë se disa nga postimet e tyre në Instagram janë fshirë.
Makina të djegura, përleshje në rrugë, gra që djegin shamitë e tyre — Irani është përfshirë nga protesta të gjera antiqeveritare që nga vdekja në paraburgimin e 22-vjeçares kurde Mahsa Jina Amini në muajin shtator. Më 13 shtator, Mahsa Jina Amini, u arrestua në kryeqytetin iranian Teheran nga e ashtuquajtura policia morale e Iranit, e cila e akuzoi atë për shkelje të rregullave të veshjes.
Protestat nuk kanë të ndalur që atëherë, pavarësisht se policia ka përdorur dhunë për t’i shuar ato. Videot dhe imazhet e brutalitetit të policisë janë bërë virale në rrjetet sociale, veçanërisht në Instagram, i cili përdoret gjerësisht në Iran. Platforma sociale është një nga të fundit që ishte e disponueshme publikisht në Iran.
Interneti është ndërprerë për disa orë
Kjo me shumë gjasa shpjegon pse regjimi iranian bllokoi Instagramin dy javë më parë dhe ka kufizuar qasjen në internet në përgjithësi. Rrjetet celulare janë ndërprerë kryesisht, sipas NetBlocks, një organizatë globale e monitorimit të internetit me bazë në Londër.
“Tre ofruesit e mëdhenj celularë të Iranit Irancell, Rightel dhe MCI bllokojnë trafikun e internetit nga bota e jashtme nga rreth orës 16:00 deri në mesnatë çdo ditë”, tha për DW, Doug Madory nga Kentik, një platformë vëzhgimi e rrjetit me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke qenë se kjo është koha kur ndodhin më së shumti protesta, kjo e bën të vështirë transmetimin e drejtpërdrejt. Madory shtoi megjithatë se e marta ishte “dita e parë në më shumë se dy javë që nuk kishte asnjë mbyllje të internetit celular”.
Censurohet Instagrami?
Ndërsa regjimi iranian ka kufizuar qasjen në internet, disa thonë se vetë platformat e mediave sociale po angazhohen në censurë. Aktivistë, grupe dhe media të opozitës pretendojnë se Instagram ka hequr disa hashtags, video dhe postime.
Në një postim në Twitter, aktorja dhe aktivistja britanike me origjinë iraniane, Nazanin Boniadi pyeti pse kompania mëmë e Facebook-ut, Meta, e cila gjithashtu drejton Instagramin, ka fshirë kaq shumë postime të lidhura me protestën.
Gazetari amerikano-iranian Saman Arbabi akuzoi edhe Metën se ka hequr së fundmi një video ku tregoheshin protestuesit që i uronin vdekjen liderit iranian. Në Twitter, ai sugjeroi se kompania kishte më shumë respekt për diktatorët sesa për parullat e protestës. Ky postim i tij kishte mbledhur 3.3 milionë shikime.
Manoto TV, një stacion i drejtuar nga mërgimtarët iranianë dhe rrjeti dokumentar 1500 Tasvir kanë raportuar gjithashtu postime të fshira.
“E kam vënë re dhe e kam përjetuar gjithashtu këtë”, tha Michaelsen për DW.
Ai dhe një koleg iranian kanë parë këto zhvillime, duke dokumentuar postimet që po fshihen, ndërsa përmbajtje të tjera të ngjashme mbeten të qasshme.
“Është e vështirë të shpjegosh pse udhëzimet [e Metës] janë duke u zbatuar ndonjëherë në mënyrë kaq drastike; unë nuk kam një shpjegim për këtë, por kështu është”, deklaroi ai.
Meta thotë se nuk ka kufizime
I pyetur në lidhje me akuzat, një zëdhënës i Meta tha për DW: “Ne besojmë në të drejtën e njerëzve për qasje në internet, përfshirë Iranin. Iranianët përdorin aplikacione si Instagram për të qëndruar pranë të dashurve të tyre, për të gjetur informacion dhe për të hedhur dritë mbi ngjarje të rëndësishme – dhe ne shpresojmë që autoritetet iraniane të rivendosin qasjen e tyre së shpejti. Ndërkohë, ekipet tona po ndjekin nga afër situatën dhe janë të fokusuara vetëm në heqjen e përmbajtjes që shkel rregullat tona, duke adresuar sa më shpejt të jetë e mundur çdo gabim të zbatimit”.
Meta i tha radios publike gjermane BR se kufizimet e vendosura në Manoto TV ishin krijuar për të frenuar mesazhet e padëshiruara dhe ishin hequr./UBTNews/