UBT News

A po forcohet Shteti Islamik?

Vdekja e një udhëheqësi të Shtetit Islamik në Siri javën e kaluar u cilësua si një “goditje” e fortë ndaj grupit terrorist, por civilët në Siri thonë se rreziku mbetet, si nga ekstremistët ashtu edhe nga koalicioni që lufton kundër tyre.

Mijëra njerëz të zhvendosur po ndeshen edhe me varfërinë e skajshme të shkaktuar nga lufta.

Kur helikopterët arritën në një shtëpi në Idlib të Sirisë, javën e kaluar, familjet e zhvendosura të zonës ishin të tmerruara. Një ditë më pas, shumë njerëz iu afruan vendit të ngjarjes për të parë se çfarë kishte ndodhur.

“Unë jetoj në një kamp refugjatësh këtu afër. Dëgjuam zhurmë dhe mund të dalloja se ishin helikopterë. Erdha këtu për të mësuar se çfarë ka ndodhur dhe pashë trupat e fëmijëve dhe grave”, thotë Aboud Al-Youssef.

Zyrtarët amerikanë thonë se civilët që vdiqën në operacionin kundër udhëheqësit të Shtetit Islamik të enjten u vranë kur jeleku vetëvrasës i tij shpërtheu.

Udhëheqësi i Shtetit Islamik njihej me disa emra si Amir Muhamed Sa’id Abdal-Rahman al-Mawla, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Kurayshi dhe Haxhi Abdullah.

“Kemi sinjale të forta se viktimat, përfshirë ato të civilëve të pafajshëm në këtë operacion u shkaktuan nga Abdullahu, i cili hodhi veten në erë”, thotë zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby.

Ai është fajësuar për një sulm të fundit ndaj një burgu në Siri, ku po mbahen luftëtarë të Shtetit Islamik, që u shndërrua në një betejë dhjetë-ditore dhe shkaktoi vdekjen e qindra militantëve dhe më shumë se 100 rojeve dhe punonjësve të burgut.

Por zyrtarët e Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët që kontrollonin burgun e improvizuar paralajmëruan se një sulm si ky ishte i pashmangshëm edhe para se Haxhi Abdullahu të merrte drejtimin e Shtetit Islamik.

Në Sirinë verilindore ndodhen një numër objektesh, ku po mbahen dhjetëra mijëra burra, gra dhe fëmijë që u dorëzuan në vitin 2019, kur Shteti Islamik humbi territoret që kontrollonte. Ata janë nga dhjetëra vende të ndryshme dhe të gjithë po mbahen pa akuza.

Kushtet e rënda të jetesës po rrisin radikalizimin në kampet dhe burgjet tashmë të radikalizuara. Zyrtarët e Forcave Demokratike Siriane i quajnë qendrat e paraburgimit “bomba me sahat”.

Shumë vendas thonë se vdekja e udhëheqësit të Shtetit Islamik mund të ketë një ndikim të vogël në zbutjen e këtij rreziku.

Por në Idlib, provinca e fundit në Siri që ende kontrollohet nga forcat opozitare anti-qeveritare, disa vëzhgues thonë se vdekja e udhëheqësit të Shtetit Islamik është një lehtësim.

“Jam i gëzuar për vdekjen e tij sepse Shteti Islamik është një organizatë terroriste që shkatërroi revolucionin e Sirisë. Është si një sëmundje apo një virus”, thotë gazetari Mohamed Hajj Kaddour.

Por të tjerë thonë se, për civilët, kërcënimi nga Shteti Islamik ka qenë gjithmonë më i vogël se ai i forcave ndërkombëtare dhe lokale që bombardojnë grupin terrorist.

Në të gjithë Sirinë dhe Irakun, qytete të shumta mbeten nën rrënoja dhe nuk dihet se sa mijëra civilë janë vrarë nga forcat e koalicionit që luftojnë Shtetin Islamik.

“Ne kemi qenë në rrezik dhe kemi vuajtur nga të dyja palët. Fëmijët janë veçanërisht të frikësuar. Edhe gratë kanë frikë. Kemi frikë nga avionët luftarakë të koalicionit të pajisur me raketa dhe mitralozë”, thotë Umm Jusuf, një banore e zhvendosur.

Ashtu si shumë familje të zhvendosura, ajo thotë se më e tmerrshme se dhuna, është përpjekja për të mbijetuar varfërinë ekstreme të shkaktuar nga lufta./ VOA

Exit mobile version