UBT News

A mund të përhapen luftimet në të gjithë Evropën?

Trupat ruse po përpiqen të marrin dy qytetet më të mëdha të Ukrainës, Kievin dhe Kharkivin, por po përballen me rezistencë të ashpër. Ndërkohë rreth gjysmë milioni refugjatë janë larguar nga Ukraina, dhe në Rusi sanksionet e rënda kanë filluar.

Vendet e krahut lindor të NATO-s, në kufi me Ukrainën, janë të shqetësuara. Lituania shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Suedia dhe Finlanda megjithëse asnjëra prej tyre nuk janë anëtare të NATO-s iu bashkuan samitit urgjent të aleancës javën e kaluar dhe ShBA-ja ka rritur numrin e trupave të saj në Poloni. Disa polakë ndjehen të shqetësuar për sigurinë e tyre, por fokusi kryesor mbetet të ndihmojnë miqtë ose të afërmit ukrainas ose ata që kanë shkuar drejt Polonisë.

Vendet dhe aleatët e NATO-s po vëzhgojnë çdo lëvizje të Rusisë, duke paralajmëruar se aleanca e tyre ushtarake mbrojtëse do të bëjë gjithçka për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të tyre. Ata kanë dërguar armë dhe municione në Ukrainë dhe kanë trajnuar ushtarë ukrainas në vitet e fundit deri në pushtimin rus. Por ata kanë thënë vazhdimisht se nuk do të ketë “çizme në terren” të NATO-s, sepse Ukraina nuk është anëtare e NATO-s.

Megjithatë, kjo ndryshon nëse Rusia lëviz përtej Ukrainës në një vend të NATO-s. Neni 5 i Kushtetutës së NATO-s thotë se “një sulm kundër një aleati konsiderohet një sulm kundër të gjithë aleatëve”. Nëse kjo ndodh, bota kalon në një territor të paeksploruar dhe ekziston një mundësi e rrezikshme e një konfrontimi NATO-Rusi.

Cilat janë shanset që Putini të bombardojë Britaninë e Madhe?

Kryekorrespondentja ndërkombëtare e BBC-së, Lyse Doucet, ndodhet në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës. Ajo shkruan “më vjen shumë keq që duhet të bëni këtë pyetje të tmerrshme. Do të doja të përgjigjem, nuk ka mundësi. Këto janë kohëra të paparashikueshme, të pakuptueshme, por unë do të doja të besoja se përgjigja është jo. Jo për bombardimin e Britanisë apo ndonjë vendi tjetër. Dhe një shpresë që bombardimet e Ukrainës të marrin fund shpejt”.

Si dhe kur do të mbërrijë në Ukrainë ndihma ushtarake e premtuar nga vende të ndryshme perëndimore? Si munden vendet perëndimore të përshpejtojnë shpërndarjen e kësaj ndihme të nevojshme?

Mark Lowen, gazetari i BBC-së që ndodhet në kufirin Poloni-Ukrainë shkruan, “disa ndihma ushtarake tashmë janë dërguar. Polonia ka dërguar municion përtej kufirit, ShBA ka dërguar tashmë rreth 90 ton ndihmë ushtarake, Suedia po thyen traditën e saj për të mos dërguar armë në vendet e përfshira në konflikt të armatosur dhe tani BE-ja, për herë të parë ndonjëherë, ranë dakord të financojnë blerjen dhe dërgimin e armëve në një vend të sulmuar”./UBTNews/

Exit mobile version