Bashkimi Evropian po ngre një grup pune i cili do të shqyrtojë nëse asetet e ngrira ruse mund të përdoren për ta rindërtuar Ukrainën.
Grupi do të kryejë një “analizë ligjore, financiare, ekonomike dhe politike” për të vlerësuar këtë mundësi, njoftoi qeveria suedeze përmes një deklarate të martën. Suedia aktualisht mban presidencën e Këshillit të BE-së, i cili përcakton prioritetet politike të bllokut.
Në deklaratë mes tjerash thuhej se do të analizohet se ku janë të vendosura këto asete dhe sa është vlera e tyre.
“Në parim, është e qartë: Rusia duhet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës”, tha kryeministri suedez, Ulf Kristersson. “Në të njëjtën kohë, kjo shtron pyetje të vështira. Kjo duhet të bëhet në përputhje me të drejtën e BE-së dhe ligjin ndërkombëtar dhe aktualisht nuk ka asnjë model të drejtpërdrejtë për këtë”.
Diplomatët nga vendet e Bashkimit Evropian u takuan të mërkurën për të vendosur mbi përgjegjësinë për grupin. Sapo të merret ai vendim, do t’i jepet drita jeshile për të filluar punën. Grupi do të kryesohet nga Anders Ahnlid, drejtor i përgjithshëm i Bordit Kombëtar të Tregtisë të Suedisë.
Kanë lindur pyetje të shumta lidhur me rindërtimin e Ukrainës në prag të përvjetorit të parë të pushtimit të Ukrainës. Ekonomia e Ukrainës u tkurr me më shumë se 30% në vitin 2022 pasi lufta shkatërroi infrastrukturën, dëmtoi bizneset dhe ndërpreu jetën e përditshme.
Kostoja e rindërtimit dhe rimëkëmbjes u vlerësua në rreth 349 miliardë dollarë nga Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Ukrainës. Por për shkak të luftës, shifrat mund të jenë rritur që atëherë.
Një zyrtar i lartë i BE-së vlerësoi në fillim të këtij muaji se Bashkimi Evropian dhe aleatët perëndimorë kanë ngrirë mbi 300 miliardë dollarë në asetet e Bankës Qendrore ruse që mund të përdoren për të rindërtuar Ukrainën.
Bashkimi Evropian po punon për paketën e dhjetë të sanksioneve kundër Rusisë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha të mërkurën se blloku do të shënjestrojë mallra me vlerë 11 miliardë euro (11.8 miliardë dollarë).
“Ne kemi miratuar nëntë paketa sanksionesh. Ekonomia ruse po tkurret. Ne duhet të vazhdojmë presionin”, deklaroi ajo tutje./UBTNews/