Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i bëri thirrje Izraelit që të tregojë mëshirë dhe të ndalojë përdorimin e ushqimit dhe furnizimeve mjekësore si armë në konfliktin në Gaza.
Ai theksoi se lufta po dëmtonte vetë Izraelin dhe nuk do të sjellë një zgjidhje të përhershme.
Në asamblenë vjetore të OBSH-së, Ghebreyesus u shpreh:
“Ju mund të imagjinoni se si njerëzit po vuajnë. Është vërtet e gabuar të përdorësh ushqimin si armë. Është shumë e gabuar të përdorësh furnizime mjekësore si armë.”
Sipas mediave ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara nisën dje shpërndarjen e ndihmave në Gaza, me rreth 90 kamionë që kaluan kufirin për të mbështetur civilët në nevojë.
Kreu i OBSH-së theksoi gjithashtu se vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë një paqe të qëndrueshme. Ai apeloi:
“Ju lutem, a mund të keni mëshirë? Është mirë për ju dhe është mirë për palestinezët. Është mirë për njerëzimin.”