UBT News

A mund të hanë vezë personat me sëmundje të zemrës?

Vezët janë ndër ushqimet më të konsumuar në botë, të përballueshme, ushqyese dhe shumë të larmishme.

Ato përmbajnë vitamina, aminoacide thelbësore, acid folik, omega-3 dhe minerale si seleni dhe hekuri, si dhe ofrojnë një burim të shkëlqyer proteinash cilësore për ndërtimin dhe rigjenerimin e qelizave.

Për shkak të përmbajtjes së kolesterolit dhe yndyrnave, roli i tyre në dietën e personave me kolesterol të lartë apo sëmundje kardiovaskulare ka qenë objekt debati.

Studime të ndryshme, përfshirë Mayo Clinic dhe National Institutes of Health, tregojnë se konsumimi i moderuar i vezëve, deri në shtatë copa në javë – nuk rrit rrezikun për sëmundje të zemrës tek individët e shëndetshëm.

Përkundrazi, vezët mund të jenë pjesë e një diete të ekuilibruar kur kombinohen me perime, drithëra integrale dhe yndyra të pangopura.

Konsumimi i sasive të mëdha, mbi 12 vezë në javë, rrit rrezikun për probleme kardiovaskulare, sidomos te personat me nivele të larta të kolesterolit LDL, sipas Journal of the American College of Nutrition.

Një studim dhjetëvjeçar në Greqi tregoi se personat që konsumonin një deri tri vezë në javë kishin rrezik më të ulët për sëmundje të zemrës krahasuar me ata që nuk konsumonin ose konsumonin sasi të tepërta.

Ekspertët e Harvard School of Public Health nënvizojnë se ndikimi i vezëve varet shumë nga konteksti i dietës: ato janë më të dobishme kur zëvendësojnë mishin e përpunuar, por më pak të favorshme kur konsumohen me ushqime të pasura me yndyra të ngopura.

Moderimi dhe larmishmëria janë çelësi i shëndetit të zemrës. Personat me kolesterol të lartë ose sëmundje kardiake nuk kanë pse të shmangin vezët, por duhet t’i konsumojnë deri në 7 copa në javë, duke i kombinuar me fibra, perime dhe yndyra të pangopura.

Një dietë e tillë ndihmon në kontrollin e kolesterolit dhe përmirëson shëndetin e përgjithshëm të zemrës. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version