UBT News

A mund ta parashikojnë kafshët tërmetin më shpejt sesa njerëzit?

A mund t’i parashikojnë kafshët tërmetet herët?

Janë publikuar video të kafshëve që silleshin në mënyrë të çuditshme para tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë javën e kaluar.

Pamjet që u publikuan tregojnë qentë duke lehur dhe zogjtë duke flutuar në mënyrë të çuditshme pak para tragjedisë. Njerëzit shpesh raportojnë sjellje jonormale nga kafshët para dridhjes së tokës.

Por a ka ndonjë shkencë pas kësaj “shqise të gjashtë” – dhe çfarë thotë hulumtimi?

A i kanë zbuluar kafshët tërmetet në të kaluarën?

Rreth 500 mijë tërmete të dallueshme ndodhin në botë çdo vit, nga të cilët afërsisht 100 shkaktojnë dëme. Sizmologët nuk kanë asnjë mënyrë për të ditur saktësisht se kur ose ku do të godasë tërmeti tjetër – kështu që potenciali që kafshët të jenë sisteme paralajmëruese të hershme është interesante.

Por ideja që kafshët mund të parashikojnë dridhjet e tokës nuk është e re. Në vitin 373 para Krishtit, autori romak Aelian shkroi se si gjarpërinjtë, minjtë dhe insektet u larguan nga qyteti Helike përpara se të shkatërrohej nga një tërmet.

Kohët e fundit, gjarpërinjtë në letargji braktisën qytetin kinez Haicheng para një tërmeti me magnitudë 7.3 në vitin 1975. Në vitin 2016, mijëra zogj fluturuan para se se një tërmet i fuqishëm ta godiste Oklahomën.

Kafshët mund të parashikojnë tërmetet disa sekonda më herët

Shkenca sugjeron se kafshët mund të jenë në gjendje të ndjejnë dridhjet fillestare sekonda ose minuta më herët. Kur godet një tërmet, valët sizmike dalin nga epiqendra e lëkundjes.

Valët primare, valët e para që ndjehen, janë më të vogla dhe në disa raste njerëzit s’i kuptojnë. Ato u paraprijnë valëve dytësore më të dhunshme, të cilat mund të tundin tokën dhe të rrëzojnë ndërtesat.

Kafshët, të cilat kanë shqisat më të mprehta të dëgjimit dhe nuhatjes sesa njerëzit, mund t’i ndjejnë këto sekonda ose minuta para njerëzve.

Elefantët dhe zogjtë, për shembull, mund të ndjejnë valët e zërit me frekuencë të ulët dhe dridhjet nga paragoditjet e dobëta. Ndërsa brejtësit mund të dëgjojnë tingujt me frekuencë të lartë që dalin nga shkëmbinjtë që thyhen.

Nuk ka gjasa që kafshët t’i ndiejnë tërmetet shumë kohë para se të ndodhin

Por a mund t’i ndiejnë kafshët tërmetet mjaft herët për të vepruar si një sistem ‘paralajmërimi i hershëm’? Hulumtimet sugjerojnë se nuk ka gjasa.

Një përmbledhje e Buletinit të Shoqatës Sizmologjike të Amerikës në vitin 2018 ekzaminoi 180 studime të mëparshme dhe zbuloi se korelacioni mes sjelljes së kafshëve dhe dridhjeve të tërmeteve ishte kryesisht anekdotik.

“Studimi tregon qartë dobësi të forta apo edhe deficite në shumë nga raportet e publikuara mbi sjelljen e mundshme jonormale të kafshëve”, shkruajnë autorët.

Hulumtimi i mëvonshëm ka qenë më premtues. Në vitin 2020, studiuesit nga Instituti Max Planck i Sjelljes së Kafshëve regjistruan lëvizjet e kafshëve të fermave të Italisë veriore për disa muaj. Ata zbuluan se kafshët ishin të trazuara në mënyrë të pazakontë disa orë para tërmeteve./UBTNews/

Exit mobile version