Grupet e pacienteve të cilët kanë alergji të ndryshme si ndaj pluhurit, polenit, ushqimeve të ndryshme, nga astma bronkiale apo edhe prej insekteve, mund të marrin vaksinen antiCovid. Kështu tha doktoresha Luljeta Neziri-Ahmetaj në një intervistë për programin e mëngjesit “Për ditë të mbarë” në RTV21. Ajo tregoi se të gjithë ata pacientë që kanë alergji të ndryshme, qoftë edhe ndaj penicilines, nëse nuk kanë shfaqur anafilaks, ata mund të vaksinohen. Sipas doktoreshës është e preferueshme që para vaksinimit të informohet mjeku në rast të alergjive, me ç’rast personat e tillë duhet të qëndrojnë 30 minuta nën observim. “Grupet e tjera të cilët kanë shfaqur anafilaks duhet marrë vaksinen nën observimin e mjekut alergolog, në kushte hospitalore”, tha Neziri-Ahmetaj. Deri më tani janë vaksinuar 16.132 qytetarë. Ekipi menaxhues dhe vullnetarët si dhe Njësitë e vaksinimit të QKMF-ve në komuna, po vazhdojnë dhënien e vaksinave te grup-mosha 75-79 vjeçe me sëmundje kronike.