/ATSH/- Përhapja e variantit Omicron të koronavirusit dhe ashpërsia në dukje më e ulët me të cilën shfaqet te njerëzit e vaksinuar po shtyjnë shumë vende të lehtësojnë rregullat për karantinë, shkruan focus.it.
A janë këto vendime të bazuara nga pikëpamja shkencore?
Në Britaninë e Madhe, periudha e izolimit për të vaksinuarit pozitivë është zgjatur në shtatë ditë, nga 10 e mëparshme, në SHBA, karantina për pozitivët asimptomatikë është shkurtuar, pavarësisht mendimit të kundërt të shumë shkencëtarëve, në pesë ditë.
Në Itali, periudha e përjashtimit nga jeta shoqërore për të infektuarit është 10 ditë për të pavaksinuarit ose të sapo vaksinuarit dhe shtatë për ata që janë vaksinuar me dozë përforcuese (doza e tretë) me kusht që një tampon të vërtetojë, në të dyja rastet, negativizimin.
Por ka presion nga shumë vende për të përmirësuar karantinën sipas modelit amerikan.
Motivimi është thjesht ekonomik. Vala e re e infeksioneve është përhapur mbi një popullatë që tashmë është kryesisht e vaksinuar, pra e mbrojtur më mirë nga pasojat më serioze të sëmundjes, me përjashtim të të dobëtit.
A do të duhet të vaksinohemi kundër Covid-19 çdo gjashtë muaj?
Nëse analizojmë sjelljen tipike të virusit, karantina e shkurtër ka pak dobi. Sipas një rishikimi të 79 studimeve mbi shpërndarjen virale te njerëzit e infektuar të botuar në revistën ”Lancet Microbe”, kulmi i ngarkesës virale tek njerëzit e infektuar me variantin Omicron është midis ditës së tretë dhe të gjashtë të ekspozimit ndaj virusit.
Një studim japonez konfirmon se kulmi i prezencës së virusit tek të infektuarit me Omicron është midis ditës së tretë dhe të gjashtë të fillimit të simptomave.
Për më tepër, sipas një analize të fundit nga Universiteti i Exeter (MB), një në tre persona që janë pozitivë për Omicron do të ishin akoma më infektues pas pesë ditësh.