UBT News

A je shumë e re për një mamografi? Ja çfarë duhet të dish

Rastet e kancerit tek të rinjtë janë në rritje. Grupmosha e vetme që ka shënuar rritje të rasteve me kancer nga viti 1995 deri në 2020 është ajo e të rinjve. Kjo ka bërë që shumë njerëz të pyesin: “Kur është momenti i duhur për të bërë një mamografi?”

Kur duhet të bëni një mamografi?

Sipas Dr. Arif Kamal, zyrtar i lartë në Shoqatën Amerikane të Kancerit, gratë duhet të fillojnë të konsiderojnë mamografinë që në moshën 40-vjeçe ta diskutojnë me mjekun e tyre.

Ai rekomandon që mamografia të bëhet çdo vit pas kësaj moshe.

“Ulja e moshës për mamografinë në 40 vjeç është një hap i rëndësishëm, sepse çdo vit diagnostikohen rreth 60,000 raste me kancer gjiri tek gratë nën 50 vjeç,” shpjegon Dr. Stacy Smith-Foley, drejtoreshë e Qendrës së Gjirit në CARTI.

Përveç kësaj, ndryshimi i moshës së rekomanduar synon të adresojë edhe pabarazitë në shëndet. P.sh, gratë me ngjyrë kanë më shumë gjasa të diagnostikohen me kancer gjiri para 40 vjeç e kanë normë vdekshmërie 40% më të lartë se tjerat.

Po rritja e rasteve me kancer tek të rinjtë?

Ndërsa shqetësimi për rritjen e rasteve të kancerit tek të rinjtë është i kuptueshëm, Dr. Kamal thotë se nuk ka ende prova të mjaftueshme për të ndryshuar rekomandimet dhe për të nisur mamografinë para moshës 40 vjeç, përveç rasteve me faktorë rreziku.

Cilët janë faktorët e rrezikut?

Nëse keni faktorë të caktuar rreziku, mund të jetë e nevojshme të filloni kontrollet më herët. Disa prej tyre përfshijnë:

• Historia familjare: Nëse keni një familjar (nënë, motër, baba, vëlla) me kancer gjiri, rekomandohet të nisni mamografinë 10 vjet para moshës kur u diagnostikua ai person.

• Ekspozimi ndaj rrezatimit: Nëse keni pasur ekspozim të hershëm ndaj rrezatimit, në rastet e skanimeve të shumta për probleme me zemrën apo mushkëritë, duhet ta diskutoni me mjekun.

• Mosha e menstruacioneve të para: Gratë që kanë pasur menstruacionet e para në moshë të hershme (10-11 vjeç) janë më të rrezikuara se ato që i kanë pasur në moshën 13-14 vjeç, për shkak të ekspozimit më të gjatë ndaj estrogjenit.

• Shtatzënia dhe gjidhënia: Gratë që nuk kanë pasur fëmijë ose nuk kanë ushqyer me gji kanë rrezik më të lartë, sepse shtatzënia dhe gjidhënia reduktojnë ekspozimin ndaj hormoneve.

• Sindromat e kancerit: Nëse në familje ka raste me kancer të stomakut, gjirit, vezoreve apo edhe të zorrës së trashë, mund të jeni më të rrezikuara. Mund të jetë e nevojshme të bëni teste gjenetike dhe të filloni kontrollet më herët.

Pra, a duhet të shqetësoheni?

Nëse nuk keni faktorë të lartë rreziku, ndiqni rekomandimet për të filluar mamografinë në moshën 40 vjeç. Nëse keni ndonjë nga faktorët e mësipërm, është e rëndësishme të flisni me mjekun për të përcaktuar planin më të mirë. Në çdo rast, kontrolli i rregullt dhe njohja e trupit tuaj është hap i mirë drejt parandalimit dhe zbulimit të hershëm.

Exit mobile version