UBT News

A janë të dobishme farat e lulediellit kundër mbipeshës?

Farat e lulediellit janë tepër të pasura me proteinë, fibër, yndyrna të shëndetshme dhe shumë vitamina e minerale.

Nga ana tjetër, ato përmbajnë yndyrë dhe kalori, gjë që ngre pikëpyetje nëse këto fara janë aleat i yni në përpjekjet për të humbur kilogramët e tepërt.

Por a janë të dobishme ato kundër mbipeshës?

Ndonëse studimet mbi këtë aspekt të farave janë të pakëta, ajo që dihet i bën shkencëtarët të mendojnë se farat janë të dobishme, pavarësisht përmbajtjes së yndyrës dhe kalorive.

Falë fibrës dhe proteinës, këto fara rrisin ndjesinë e ngopjes, ruajnë masën muskulare dhe ju ndihmojnë t’i përmbaheni më gjatë regjimit ushqimor të përzgjedhur.

Një e treta e fibrës tek farat e lulediellit është e tretshme që do të thotë se ajo jo vetëm mirëmban peshën duke ngadalësuar tretjen por edhe rritur ndjesinë e ngopjes.

Farat rekomandohen edhe mes vakteve që të zbusin urinë dhe të pengojnë ushqyerjen e tepruar me produkte të shpejta e të pashëndetshme.

Nga ana tjetër, konsumatori duhet të tregojë kujdes me konsumin e farave të lulediellit për arsye se disa lloje të farave kanë përmbajtje shumë të lartë kripe.

Sodiumi është një mineral thelbësor për organizmin por nëse ai merret në sasi të larta, atëherë nxit rritjen e tensionit të gjakut.

Për të shmangur sasitë e larta të kripës, zgjidhni variantin e pakriposur ose me sa më pak kripë të këtyre farave./AgroWeb.org

Exit mobile version