UBT News

A janë ëmbëlsuesit “natyralë” më të shëndetshëm se sheqeri i bardhë?

Shumë njerëz përpiqen të kufizojnë konsumin e sheqerit, por heqja dorë nga ëmbëlsirat nuk është e lehtë.

Një pyetje e shpeshtë që shtrohet është nëse ëmbëlsuesit e ashtuquajtur “natyralë” – si mjalti, shurupi i panjës apo ai i agaves – janë më të mirë për shëndetin sesa sheqeri i bardhë.

Sipas ekspertëve të ushqyerjes, përgjigjja është “jo plotësisht”, shkruan The New York Times.

“Trupi nuk e dallon nëse sheqeri vjen nga mjalti, sheqeri i tryezës apo shurupi i agaves. Ai e shpërbën në të njëjtat molekula”, shpjegon Karen Della Corte, profesoreshë e shkencës ushqimore në Universitetin Brigham Young në Utah.

Pse sheqeri i tepërt është i dëmshëm?

Sheqeri në mollë dhe ai në një çokollatë përbëhen nga glukozë dhe fruktozë, por trupi i përpunon ndryshe, në varësi të mënyrës si janë “paketuar” në ushqim.

“Kur hani fruta ose perime të plota, fibrat që ato përmbajnë ngadalësojnë tretjen dhe ndihmojnë në parandalimin e ngritjeve të menjëhershme të nivelit të sheqerit në gjak,” shpjegon Kimber Stanhope, hulumtuese në Universitetin e Kalifornisë.

Por në rastin e sheqernave të shtuara, si sheqeri i rafinuar apo shurupi me përmbajtje të lartë fruktoze, përbërësit hyjnë menjëherë në gjak, duke shkaktuar rritje të shpejtë të nivelit të glukozës.

“E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me lëngjet e frutave, edhe kur nuk kanë sheqer të shtuar, gjatë përpunimit humbet fibra mbrojtëse,” shton Della Corte.

Këto ngritje të përsëritura të sheqerit çon në rezistencë ndaj insulinës, e cila zhvillohet në diabet të tipit 2. Sipas Robert Lustig, endokrinolog në Universitetin e Kalifornisë “sheqeri i tepërt shndërrohet në yndyrë nga mëlçia, duke rritur rrezikun për sëmundje kronike të mëlçisë dhe për atak në zemër”.

Autoritetet shëndetësore amerikane rekomandojnë jo më shumë se 50 gramë sheqer të shtuar në ditë, ndërsa Shoqata Amerikane e Zemrës vendos kufij edhe më të rreptë: 36 gramë për burrat dhe 25 gramë për gratë.

A janë ëmbëlsuesit “natyralë” më të mirë?

Megjithëse mjalti, shurupi i panjës apo ai i agaves promovohen si alternativa “më të shëndetshme”, në thelb ato janë sheqerna të shtuar dhe mund të jenë po aq të dëmshëm kur konsumohen në sasi të mëdha.

“Shumica e studimeve që pretendojnë se këto ëmbëlsues janë më të mirë janë të financuara nga vetë industria,” thekson Stanhope.

Më 2024, një studim i financuar nga industria e shurupit të panjës pretendonte se kishte përfitime për shëndetin e zemrës e kontrollin e sheqerit në gjak – por rezultatet u kritikuan për ekzagjerim. Një studim tjetër i vitit 2015, megjithëse i financuar nga industria e mjaltit, përfshiu 55 të rritur që konsumuan për dy javë pije me 50 gramë sheqer në forma të ndryshme: mjaltë, sheqer të bardhë dhe shurup fruktoze.

Rezultatet treguan asnjë ndryshim të dukshëm në nivelet e sheqerit në gjak, yndyrave apo inflamacionit. “Ky studim sugjeron se mjalti nuk është as më i mirë, as më i keq se sheqeri i zakonshëm,” përfundon Stanhope.

Po ëmbëltuesit artificialë?

Nëse mendoni të kaloni te ëmbëltuesit pa kalori, si aspartami, sukraloza (Splenda) apo stevia dhe monk fruit, ekspertët theksojnë se studimet janë ende të paqarta. Shkencëtarët shqyrtojnë nëse këto produkte ndikojnë negativisht në metabolizëm dhe mikrobet e zorrëve, por përfundimet mbeten të paqarta.

Kur ju kap dëshira për diçka të ëmbël, zgjidhni fruta natyrale – si boronicat, mollët apo patatet e ëmbla të pjekura.

“Nëse kjo nuk ju mjafton, pak ëmbëlsi – për shembull, pak mjaltë mbi copa molle – është në rregull,” këshillojnë specialistët.

Edhe çokollata e zezë mund të jetë një zgjedhje më e mirë, pasi zakonisht përmban më pak sheqer të shtuar se çokollata e qumështit. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version